Shqipëria Postuar më 17 Nëntor 2023, 11:30

Si po i “peshkojnë” fondet e buxhetit fermerët? - Vetëm në 2023-shin u formalizuan mbi 12 mijë

Nga SCAN TV

Fondet e dhëna për skemën kombëtare të mbështetjes vitet e fundit si dhe ofrimi i mundësisë për të përfituar naftën falas për punime të mekanizuar në bujqësi, ka bërë që fermerët “të peshkohen” drejt formalizmit, i cili është edhe kusht kryesor për të aksesuar financim.

Kështu sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të përpunuara nga SCAN TV, rezulton se në periudhën Janar-Nëntor të këtij viti, janë pajisur me nipt 12.236 fermerë në të gjithë vendin, nxitur edhe nga rritja e fondeve që ndodhi gjatë vitit 2022 për subvencione, ku totali arriti në 5.1 miliardë lekë.

Por çfarë ka ndodhur ndër vite dhe sa tërheqëse ka qenë Skema Kombëtare e financimi e zbatuar nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural? Nëse do të analizojmë shifra, vihet re se përgjatë viteve 2014 kur ka nisur procesi i formalizimit të fermerëve dhe deri në vitin 2023 ka pasur luhatje të forta. Konkretisht 2014 rezulton si viti më i dobët me vetëm 2 mijë fermerë të pajisur me nipt, më pas ka pasur një kapërcim në mbi 16 mijë në vitin 2015 dhe nga 2016 dhe tutje shifrat kanë ardhur në rënie. Ndërsa në vitin 2021-2023 të dhënat tregojnë për një rritje të ndjeshme të numrit të fermerëve që janë formalizuar, ku 2022 mban rekordin e gjithë dekadës me mbi 21 fermerë të regjistruar rishtazi.

Në këtë trend rritës të formalizimit të fermerëve kanë ndikuar dy faktorë kryesore.  Faktori i parë lidhet me rritjen e fondit të vënë në dispozicion ku gjatë vitit të kaluar arriti në 5.1 miliardë lekë dhe faktori i dytë ka të bëjë me fuqizimin e skemës së naftës falas për punime të mekanizuara bujqësi, gjë që ka nxitur fermerët të formalizohen me qëllim që të jenë përfitues.  Qarqet që kanë pasur fluksin më të lartë të pajisjes me nipt fermeri janë Fieri, Korça, Elbasani, Berati dhe Vlora, ndërsa ma pak fermerë të regjistruar rezultojnë në Lezhë dhe në Sarandë.

Për vitin 2024 në projektbuxhet janë parashikuar sërish ulje e fondeve për bujqësinë, çka mund të sjellë një regres në këtë drejtim. Ndërsa vetë Ministria e Bujqësisë ka pranuar se nevoja për të përmbushur kërkesat e fermerëve arrin deri në 3-fishin e fondeve të akorduara, apo 90 milionë dollarë më shumë.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat