Shqipëria Postuar më 17 Maj 2022, 12:47

Shqiptarët, “të dashuruar” me internetin e shpejtë - 99,1%, e familjeve kanë akses në “Mobile broadband”, 78,3% në rrjetet optike e kabllore

Nga SCAN TV

Teknologjia e informacionit me kuptimin e plotë të fjalës është “ulur këmbëkryq” në ccdo familje shqiptare. Në fund të vitit 2021 rezulton se 99,1 %, e familjeve shqiptare kanë akses në internet nëpërmjet lidhjes “Mobile broadband” 3G ose 4G, me një rritje prej më shumë se 9%, nga një vit më parë, kur kjo teknologji përdorej nga 90% e familjeve. E njëjta norme rritje vërehet edhe në internetin fiks.

Rezulton se në fund të vitit 2021, 78,3 % e familjeve shqiptare kishin akses në internet me rrjet fiks broadband (rrjet optik, kabllor, ADSL, etj.), tregues i cili ka shënuar rritje prej rreth 9,6 % nga një vit më parë.

Të dhënat vijnë përmes raportit mbi aktivitetin për vitin 2021 të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Po aq impresionuese janë edhe treguesit e përdorimit të teknologjisë së informacionit. AKEP raporton se 79,3 % e popullsisë (grup-mosha 16-74 vjeç) përdorin internet, nga të cilët 91,7 % e tyre e përdorin çdo ditë.

Për sa i përket rritjes së niveleve të shpejtësisë së ofruar vlen të theksohet se gjatë vitit 2021 është evidentuar një rritje e konsiderueshme e pajtimtarëve që përdorin rrjet me shpejtësi më të madhe se 100 Mbps, ku nga rreth 15,406 në vitin 2020, ky numër ka arritur në 55,065 në vitin 2021.

Shifra që konfirmohen edhe nga numri i kartave SIM që qarkullojnë në Shqipëri. Të dhënat e evidentuara nga AKEP tregojnë se numri total i kartave SIM arriti në rreth 3.4 milionë gjatë vitit 2021, e thënë ndryshe çdo banor në Shqipëri posedon rreth 1.23 karta SIM, shifёr kjo mё e lartё se mesatarja e rajonit tё Evropës dhe ajo globale pёrkatёsisht 1.18 dhe 1.11 karta SIM pёr banorё.

Ndërkohë, numri i kartave SIM aktive (numri i kartave tё përdorura për të kryer komunikime elektronike gjatë tre muajve të fundit të vitit të shkuar) arriti në rreth 2.6 milionë, me një rritje të lehtë rreth 0.63% krahasuar me vitin.

Lorenc Rabeta / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat