Analiza Postuar më 9 Maj 2025, 12:12

Bankat më të forta, qytetarët dhe bizneset më të aftë/ Norma e huave me probleme në Mars prek minimum të ri historik

Nga Xhorxhina Deda

Bankat më të forta, qytetarët dhe bizneset më të

Norma e huave me probleme, një prej indikatorëve më kritikë të shëndetit të sektorit bankar, ka shënuar një rënie të mëtejshme gjatë muajit mars, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në fund të muajit mars 2025, ky tregues zbriti në 4.02%, nga 4.06% në shkurt dhe 4.12% në janar, duke e çuar normën e kredive me probleme në nivelin më të ulët që prej Marsit të vitit 2008, kur vlerësohej në 3.92%.

Kjo rënie ndodh në një moment kur kredidhënia është në zgjerim të shpejtë dhe kërkesa për financim është rritur, çka e bën akoma më domethënës këtë përmirësim të cilësisë së portofolit të kredive. Në terma vjetorë, norma e huave me probleme është ulur me 0.62 pikë përqindje, duke reflektuar jo vetëm një menaxhim më efikas të riskut nga bankat, por edhe një aftësi më të lartë paguese të individëve dhe bizneseve.

Pavarësisht kësaj ecurie pozitive, jo të gjithë treguesit e lidhur me kreditimin ndjekin të njëjtën linjë. Sipas analizës së “Scan Intel”, raporti i kredive me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit rregullator është rritur në 5.03%, ndërsa raporti i kredive me probleme neto ndaj kapitalit aksioner është ngjitur në 4.43%. Kjo tregon se, edhe pse pesha totale e kredive me probleme ka rënë, ndikimi i tyre financiar për bankat në raport me kapitalin vazhdon të jetë i ndjeshëm.

Megjithatë, tabloja e përgjithshme mbetet pozitive. Depozitat, kreditë dhe totali i aktiveve kanë vijuar të rriten, ndërkohë që huatë me probleme kanë shënuar rënie të qëndrueshme. Kjo përbën një sinjal të fortë për qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe rritjen e besimit të publikut ndaj sistemit bankar.

Në një kuadër më të gjerë ekonomik, rënia e kredive me probleme përkthehet në ulje të riskut financiar, rritje të kapitalit të lirë për investime, dhe mundësi më të larta për bankat që të mbështesin sektorin privat. Ajo ndihmon gjithashtu në uljen e kostove të financimit për të gjithë ekonominë dhe në krijimin e një klime më të favorshme për zhvillimin afatgjatë.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat