Bota Postuar më 9 Maj 2025, 11:48

Ukraina i “largohet” dollarit amerikan - Banka Qendrore shqyrton kalimin tek euro si monedhë referuese

Nga Kristi Ceta

Ukraina i “largohet” dollarit amerikan - Banka Qendrore shqyrton

Ukraina po fillon të konsiderojë largimin nga dollari amerikan, duke e lidhur monedhën e saj më ngushtë me euron, tha për Reuters Guvernatori i Bankës Qendrore Andriy Pyshnyi.

Anëtarësimi i mundshëm në Bashkimin Evropian, një "forcim i rolit të BE-së në sigurimin e aftësive tona mbrojtëse, paqëndrueshmëria më e madhe në tregjet globale dhe probabiliteti i fragmentimit të tregtisë globale", po e detyrojnë bankën qendrore të rishikojë nëse euro duhet të jetë monedha referuese për hryvnia-n (rivnia-n) e Ukrainës në vend të dollarit, tha Pyshnyi. "Kjo punë është komplekse dhe kërkon përgatitje me cilësi të lartë dhe të gjithanshme", shtoi ai.

Dollari amerikan dominon tregtinë ndërkombëtare dhe përbën shumicën e rezervave globale. Ekonomitë kryesore, duke përfshirë Arabinë Saudite dhe Hong Kongun, i lidhin monedhat e tyre me dollarin. Por nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump, Shtetet e Bashkuara kanë nisur një luftë tregtare duke prezantuar tarifat më të larta në një shekull, një veprim që i ka shtyrë disa vëzhgues të vënë në pikëpyetje rolin e ardhshëm të dollarit si monedhë rezervë globale.

Në vitin e katërt të luftës kundër Rusisë, Ukraina ka vënë re gjithashtu se Trump ka ndërprerë përkohësisht një pjesë të ndihmës ushtarake për vendin. Udhëheqësit evropianë janë zotuar të forcojnë ushtrinë e Kievit për të siguruar që ajo të jetë gurthemeli i sigurisë së ardhshme në Ukrainë, por progresi ka qenë i vështirë.

Që nga kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, dollari amerikan ka rënë me më shumë se 9% kundrejt valutave kryesore, ndërsa investitorët po tërhiqen nga zotërimi i aseteve amerikane. Disa ekspertë paralajmërojnë kundër lidhjes së forcës së dollarit me statusin e tij si monedhë rezervë. Megjithatë, historikisht, zotërimet e dollarit kanë qenë të lidhura me aleancat e sigurisë dhe lidhjet ushtarake me Uashingtonin.

Ukraina lançoi hryvnia-n në vitin 1996 dhe gjatë dekadave ka përdorur dollarin si monedhë referuese. Menjëherë pas pushtimit të Rusisë në shkurt të vitit 2022, banka qendrore vendosi kontrolle mbi kapitalin dhe e fiksoi hryvnia-n në një kurs zyrtar prej rreth 29 dollarësh kundrejt dollarit amerikan. Kievi u detyrua ta zhvlerësonte më vonë për shkak të një grumbullimi të çekuilibrave fiskalë.

Në tetor të vitit 2023, banka qendrore kaloi nga një kurs fiks këmbimi në një regjim të menaxhuar të kursit, që përdor dollarin amerikan si referencë për të matur ndërhyrjet valutore dhe për të zbutur luhatjet.

BE hapi bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë gati një vit më parë, megjithëse një rrugë e gjatë dhe e vështirë shtrihet përpara se Kievi të bëhet pjesë e bllokut. Presidentja e BE-së, Ursula von der Leyen, tha në shkurt se Ukraina mund të jetë bashkohet me Unionin deri në vitin 2030, me kusht që të vazhdojë të zbatojë reforma në sistemin politik dhe gjyqësor me ritmin aktual.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat