Shqipëria Postuar më 9 Maj 2025, 11:47

13.1 mld lekë për ujësjellës-kanalizime - Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve, u shpenzua 97% e planit të rishikuar

Nga Ola Mitre

13.1 mld lekë për ujësjellës-kanalizime -

13.1 miliardë lekë u shpenzuan gjatë vitit 2024 në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizime apo 97% e planit të rishikuar. Sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kjo vlerë është 17% më pak se një vit më parë.

Një nga objektivat e programit “Furnizimi me Ujë dhe Kanalizime” është zgjerimi dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të sektorit të ujësjellës - kanalizimeve, ndërkohë që MIE rendit disa nga projektet kryesore ku u shpenzuan paratë gjatë vitit që shkoi. Këtu përfshihen disa investime në zonat bregdetare të Hamallajt dhe Bashkisë Divjakë apo përfundimi i gjithë rrjetit të kanalizimeve të ujrërave të ndotura në Pogradec dhe Njësinë Administrative Buçimas, Bashkia Pogradec. Investimet përfshijnë edhe ndërtimin e ujësjellësave në disa fshatra të Pogradecit, Hasit apo Peshkopisë.

Ndërkaq, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Ujit kohëzgjatja e furnizimit me ujë arriti në 17.3 orë në ditë gjatë vitit të kaluar, nga 16.3 orë në ditë që ishte në vitin 2023, duke shënuar përmirësim me 1 orë/ditë. Sipas ERRU janë 8 shoqëri rajonale që ofrojnë shërbimin e furnizimit me ujë 20 - 24 orë/ditë si: UKR Korçë, Lezhë, Berat, Gjirokastër, Pogradec, Shkodër, Sarandë. Më keq performojnë shoqëritë UK Kamzë me 4 orë/ditë dhe UK Vorë me 8 orë/ditë. Furnizimi me ujë të pandërprerë në 24/7 ofrohet vetëm nga Shoqëria Rajonale UK Lezhë.

Edhe uji pa të ardhura për vitin 2024 u përmirësua me rreth 3.6% krahasuar me një vit më parë, përkatësisht nga 64,7% në 61.1%.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat