Europa Postuar më 28 Tetor 2024, 17:20

Sa para ka ndarë Parlamenti Europian për grupet e tij politike?

Nga SCAN TV
Sa para ka ndarë Parlamenti Europian për grupet e tij politike?

Edel Strazimiri / SCAN

 

Këtë vit, Parlamenti Europian rregulloi planin e tij të financimit, duke shpërndarë 31 milionë euro për grupet politike në këste gjashtëmujore pas zgjedhjeve kryesore të qershorit. Votimi europian këtë verë riorganizoi kuvertën, me disa grupe që fituan vende në dhomë dhe të tjerë, si të Gjelbrit dhe Liberalët në Renew Europe, i humbën ato. Shumica e këtyre fondeve shpërndahen në mënyrë proporcionale me numrin e eurodeputetëve në grup.  Sipas një dokumenti të siguruar nga Euronews, buxheti i ndarë për grupet politike për gjysmën e dytë të vitit 2024 (korrik-dhjetor) është 31 milionë euro.

Partia Popullore Europiane (EPP) mori më shumë se 8 milionë euro, Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) rreth 6 milionë euro dhe Patriotët për Europën 3,7 milionë euro. Konservatorët dhe Reformistët EUropianë (ECR), Renew, të Gjelbërit/Aleanca e Lirë Europiane dhe e Majtë (GUE/NGL) morën pothuajse 3.5 milionë euro, 3.4 milionë euro, pak më shumë se 2.3 milionë euro dhe 2 milionë euro respektivisht.

Grupi Evropian i Kombeve Sovrane (ENS), i cili ka vetëm 25 eurodeputetë, mori 1.17 milionë euro. Financimi i përgjithshëm që Parlamenti Europian ndanë për grupet politike është rreth 65 milionë euro në vit, që do të thotë se çdo eurodeputet vlen mesatarisht rreth 90,000 euro.

Fondet në buxhetin e Parlamentit Europian u paguhen grupeve politike në bazë të llogaritjes së mëposhtme: 97.5% ndahen në raport me numrin e deputetëve dhe 2.5% shpërndahen në mënyrë të barabartë. Pjesa më e madhe shpërndahet në përpjesëtim me numrin e eurodeputetëve në grupet politike. Prandaj, grupet më të mëdha marrin më shumë fonde, ndërsa grupet më të vogla marrin më pak fonde.

Grupet politike i përdorin këto fonde për të financuar fushatat e informimit publik mbi aktivitetet e tyre në Parlamentin Europian, si votat e tyre apo nismat legjislative. Këto ndarje kanë për qëllim të mbulojnë shpenzimet administrative dhe operacionale. Buxheti i Parlamentit Europian është burimi i vetëm i financimit për grupet politike dhe deputetët e jo-anëtarësuar. Një burim nga të Gjelbërit tha se fondet e alokuara për të do të mbështesin "përparësitë politike" të mandatit të saj: tranzicionin e gjelbër, një Europë më sociale dhe luftën për të drejtat dhe demokracinë.

Në të kundërt, ky buxhet nuk mund të përdoret për të mbështetur partitë politike kombëtare apo për të financuar fushatat zgjedhore. Në të kaluarën, Parlamenti ka nisur procedurat për rikuperimin e këtyre fondeve kur mendonte se ato ishin keqpërdorur. Në Danimarkë, Partia Popullore Daneze e përdori këtë financim të grupit për të mbështetur fushatat e saj në Facebook në prag të zgjedhjeve kombëtare daneze.

Në Francë, Fronti Kombëtar i ekstremit të djathtë, i njohur tani si Tubimi Kombëtar, u akuzua gjithashtu për keqpërdorim të fondeve grupore për partitë kombëtare dhe kandidatët kombëtarë. Përveç 31 milionë eurove të akorduara për grupet politike, Parlamenti Europian, përmes zarfeve të tjera, siguron fonde të tjera, këtë herë për eurodeputetët, për të punësuar asistentët e tyre.

Ky organ përdor edhe fonde të tjera për financimin e partive politike europiane, për të mos u ngatërruar me grupet politike dhe paguan këshilltarë politikë për të mbështetur punën e grupeve. Grupet politike luajnë një rol të rëndësishëm në të gjithë procesin e vendimmarrjes europiane.

Sondazh

Poll
Shqipëria 28 Tetor

Java nis negativisht për valutat kryesore!

SCAN Dollari amerikan e ka nisur javën në rënie pasi ka humbur pikë gjatë fundjavës duke u blerë sot me 90.5 lekë dhe duke u shitur me 91.5 lekë nga java e......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat