Europa Postuar më 15 Gusht 2022, 12:37

Rritja e taksave ndaj fitimeve të kompanive energjetike për të frenuar çmimin për familjet - Laburistët në Britani propozojnë planin për energjinë

Nga SCAN TV
Rritja e taksave ndaj fitimeve të kompanive energjetike për të

Lideri i laburistëve në Britaninë e Madhe, Keir Starmer deklaroi se familjet nuk do të paguanin asnjë cent më shumë në faturat e energjisë elektrike këtë dimër, falë planit të tij për të frenuar rritjen e kostos së jetesës.

Lideri i laburistëve u shpreh se propozimet e tij do të mundësonin kursimin e 1 mijë stërlinave në vit për familjet.

Paketa do të financohet pjesërisht nga rritja e konsiderueshme e taksave ndaj fitimeve të kompanive të naftës dhe gazit. Por kritikët u shprehën se plani do të kushtojë po aq shumë sa skema për daljen nga pandemia e Covid, për më tepër që nuk konsiderohet si një zgjidhje afatgjatë.

Qeveria britanike ka konfirmuar tashmë një mbështetje financiare prej 37 miliard paund për familjet nën presion për shkak të rritjes së kostos së jetesës, por ndaj saj po ushtrohet trysni që të bëjë dhe më shumë, pasi pritet që këtë dimër faturat e energjisë elektrike të jenë shumë të larta.

Rishi Sunak and Liz Trass – të cilët po garojnë për postin e kryeministrit të vendit, kanë bërë të qarta planet e tyre por nuk e kanë përjashtuar zgjatjen në kohë të taksës së re të vendosur ndaj fitimeve të kompanive energjitike.

Laburistët këmbëngulin se plani i tyre për të frenuar rritjen e faturave energjitike ishte i mirëmenduar dhe do të funksionojë, duke renditur tre mënyra se si do të financohet ai:

Ngrirja e kësaj takse në janar dhe llogaritja e çmimeve më të larta të naftës dhe gazit për të mbledhur 8 miliard paund

Anulimi i zbritjes së cmimit të energjisë elektrike prej 400 paund dhe premtimeve të tjera të bëra nga kandidatët e udhëheqjes konservatore për të mbledhur 14 miliardë paund.

Ulja e inflacionit me fatura më të ulëta të energjisë, duke çuar në një ulje të pagesave të interesit të borxhit të qeverisë prej 7 miliardë paund

Lideri laburist tha se ‘ngrirja’ e kufirit të çmimit të energjisë në nivelin aktual prej 1.971 paund në vit për një familje tipike do të ulte inflacionin me katër pikë përqindjeje.

Inflacioni - norma me të cilën rriten çmimet - arriti në 9.4% në qershor, niveli më i lartë për më shumë se 40 vjet. Banka e Anglisë ka paralajmëruar se mund të arrijë në më shumë se 13% vonë këtë vit.

Arsyeja kryesore për inflacionin e lartë është rritja e faturave të energjisë, e nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës, megjithëse familjet janë goditur gjithashtu nga kostot më të larta të benzinës, naftës dhe ushqimit.

Starmer tha se do t'i duhej të "vlerësonte" situatën në prill të vitit të ardhshëm, por planet e laburistëve sipas tij kanë të bëjnë me ndihmën e njerëzve gjatë këtij dimri.

Ai shtoi se mund të nevojiten masa të mëtejshme për të reduktuar inflacionin vitin e ardhshëm dhe argumentoi se në terma afatmesëm dhe afatgjatë laburistët po kërkonin mënyra të tjera për të ulur kostot, si për shembull izolimi i miliona shtëpive.

Dorina Kurtaj / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=Q4E4dn-xqcQ

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat