Shqipëria Postuar më 13 Qershor 2022, 14:17

Risitë e projektligjit për shërbimin spitalor - Manastirliu: Mjekët, praktika dyfishe brenda spitaleve!

Nga SCAN TV

Në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale u diskutuan risitë e projektligjit për shërbimet spitalore. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu teksa përmendi dhe autonomin spitalore tha se mjekët  do të mund të kenë mundësinë të ushtrojnë profesionin e tyre edhe privatisht.

“Ligji parashikon risi, duke futur konceptin e ri të modelit të autonomisë spitalore. Një model i cili parashikon të krijojë dy nënmodele: modelin e autonomisë spitalore menaxheriale dhe modelin e autonomisë spitalore financiare, nëpërmjet një instrumenti që e kemi quajtur “kartën e autonomisë spitalore”.  “Kjo do të sjellë që ne t’i kemi mjekët më shumë brenda spitaleve tona për t’u kujdesur shumë më shumë për pacientët, edhe përtej kohës së punës. Do të krijojë për pacientët që duan të kenë konsulta ambulatore jashtë sistemit të referimit, një akses më të drejtpërdrejtë në shërbime. Dhe sigurisht kjo bazuar në kosto dhe tarifa të miratuara, sipas të metodologjive që parashikon ligji.

Teksa modeli i ri i autonomisë spitalore do të pilotohet fillimisht në Spitalin Memorial Fier, Manastirliu tha se do të ketë një planifikim kombëtar spitalor.

“Deri sot kemi pasur vetëm spitalet bashkiake, spitalet rajonale dhe spitalet terciare. Por tashmë vijmë dhe me koncepte të reja sikurse është spitali ditor dhe gjithashtu spitalet mbi baza rajoni, pra spitale që i shërbejnë jo vetëm qarkut, por gjithë rajonit. Një risi e këtij projektligji të ri është planifikimi spitalor në nivel kombëtar. Për këtë, është parashikuar ngritja e një organi kolegjial ad hoc, një organ këshillimor për pilitikat dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor, që do të hartojë planin kombëtar spitalor. Autonomia spitalore do të mundësojë edhe pagesat e diferencuara për mjekët në bazë të performancës dhe shërbimit të ofruar për qytetarët si dhe do të lejojë praktikat e dyfishta të mjekëve, që do të thotë edhe mundësi për të shfrytëzuar mjediset spitalore për konsulta apo shërbime përtej orarit të punës, për pacientë jashtë sistemit të referimit”, tha ajo.

Projektligji i ri i hartuar për “Shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, vjen pas 18 vitesh nga ligji i spitaleve që është në fuqi.

SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=T0v8G4apZts

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat