Europa Postuar më 3 Gusht 2023, 10:32

‘Qira të papërballueshme’ – Pse strehimi është kthyer në një luks në Gjermani?

Nga SCAN TV
‘Qira të papërballueshme’ – Pse strehimi

Kush kërkon një banesë në një zonë të mirë banimi në Berlin duhet të ketë shumë para. Si një qira e përballueshme sociale në Gjermani aktualisht konsiderohet nga 6,50 deri në 7,50 euro për metër katror. Por me një çmim të tillë aktualisht në Berlin nuk arrin të gjesh as "ofertën e ofertave të muajit". Me të tilla çmime ofrohen aktualisht banesat me 96 metra katror në skajin më lindor të qytetit me një qira mujore prej 725 eurosh. Meqënëse apartamenti ndodhet në katin e gjashtë pa ashensor kërkohet "një familje sportive". Familjes mundësisht duhet t'i vijë përdoresh edhe punët e ndërtimit, sepse apartamenti duhet të rinovohet.

Sipas Entit Federal të Statistikave, të ardhurat mesatare neto në Gjermani, pra ato që mbeten pas zbritjes së taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore, janë 2.165 euro. Rreth një e treta e të ardhurave shpenzohet për qira. Megjithatë, kur bëhet fjalë për qira të reja, kjo shpesh nuk është më e mjaftueshme.

Në Mynih, një metër katror kushton 19 euro me qira, në Shtutgart 18 euro, në Dyseldorf dhe Këln 12 deri në 13 euro dhe në Berlin 11 euro. “Kërkesa e lartë për hapësirë ​​jetese të përballueshme plotëson rritjen historike të qirasë dhe ofertën që është shumë e pakët”, thuhet në një deklaratë aktuale nga portali online Immoscout24.

Gjermania tradicionalisht është një vend i qiraxhinjve. Ndërsa kuota e pronësisë në Europë mesatarisht është rreth 70 %, në Gjermani vetëm 46 % jetojnë në banesa e tyre private. Në qytetet e mëdha kjo kuotë është edhe më e ulët. Në Hamburg vetëm 22 për qind banojnë në shtëpinë e tyre, në Berlin madje vetëm 14 %. Në Berlin kishte dhe demostrata kundër qirave të larta: Në qytetet e mëdha rriten çdo vit kostot e banimit.

Në mbarë botën po rriten çmimet imobiljare. Instituti Ifo dhe Instituti i Zvicrës për Politikën Ekonomike parashikojnë, që në dhjetë vitet e ardhshme mesatarisht duhet llogaritur me një rritje prej nëntë për qind. Për Gjermaninë parashikohet një rritje me shtatë për qind. Bashkë me rritjen e interesave të kredive kjo e bën të papërballueshme blerjen e një banese. Mbetet pra alternativë marrja me qira e banesës. Kjo e ashpërson mungesën në tregun e qirave dhe nxit rritjen e mëtejshme të çmimeve.

Sipas një studimi të Institutit Eduard-Pestel për studimet e sistemeve në Gjermani mungojnë më shumë se 700.000 banesa në segmentin e çmimeve të favorshme. Qeveria ka deklaruar, se do të kujdeset për ndërtimin e 400.000 banesave të reja çdo vit. Faktikisht sivjet do të arrihet pak më shumë se gjysma, ndërsa më 2024 arritja e objektivit do të jetë dukshëm më e vështirë. Këtë e ka përllogaritur Instituti për studimet Makroekonomike dhe Koniunkturën i afërt me sindikatat.

Lufta në Ukrainë dhe inflacioni i kanë rritur kostot e ndërtimit. Ekspertët parashikojnë, që do të jetë pothuajse e pamundur që të ndërtohet me një kosto më pak se 5000€ për metër katror. Ka mungesë punëtorësh dhe lëndësh ndërtimi, në kantjere puna po ndërpritet. Në maj të këtij viti numri i lejeve të ndërtimit ka rënë me 25,9 % krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Ndërkohë që në Gjermani ka shumë pak banesa sociale me sponsorizim nga shteti. Të tilla janë ndërtuar kryesisht në vitet 1950 deri më 1970, ndërsa dekadat e fundit aspak.

Shoqatat sociale paralajmërojnë, se banimi po kthehet gjithnjë e më shumë në një çështje ekzistenciale në Gjermani. Kjo krijon tensione me potencial shpërthyes në shoqëri. Një banesë me çmim të arsyeshëm është e drejtë e njeriut, theksojnë këto shoqata.

Qira të kontrolluara nga shteti? Shumica e qytetarëve e konsiderojnë si pozitive këtë. Por Gjykata Kushtetuese në vitin 2020 e hodhi poshtë normimin e qirave të aplikuar në Berlin. Përmes një kërkese në parlament kërkohet tani sërish që politika e strehimit të jetë një detyrë publike dhe e shtetit me prioritet të lartë dhe që përmes rregullimit të qirave me një tavan të krijohet më shumë drejtësi në tregun e imobiljar për strehimin. Nga ana tjetër kritikët tërheqin vëmendjen, se një normim i tillë do të frentonte ndërtimin, sepse pa joshjen për përfitim financiar mund të stepen investitorët.

E . S / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat