Europa Postuar më 7 Shtator 2022, 15:15

Qeveria italiane, plan për kursimin e energjisë - Lavatriçet duhen mbushur plot, një orë më pak ngrohje në ditë dhe kursim vullnetar

Nga SCAN TV
Qeveria italiane, plan për kursimin e energjisë - Lavatriçet

Një sfidë kundër kohës në pritje që skenari më i keq të bëhet realitet, pra që Rusia të ndërpresë furnizimin me gaz për Italinë. Duke parë kontekstin aktual gjeopolitik kjo nuk është më një hipotezë e për këtë arsye qeveria italiane ka marrë masat si shumë nga vendet e tjera europiane. Ministria për tranzicionin ekologjik ka publikuar planin kombëtar për reduktimin e konsumit të impianteve të ngrohjes për përdorim rezidencial, në zyra publike dhe private si dhe në lokale e dyqane tregtare në të gjithë vendin.

Objektivi është reduktimi me 5.3 miliard metra kub të kërkesës kombëtare për metan në rrugë administrative, pra të detyrueshme. Por njëkohësisht duke këshilluar për kursim vullnetar nga ana e qytetarëve në mënyrë qëtë kursehen dhe 2.7 miliard metra kub të tjera. Për këtë arsye në televizionin shtetëror italian do të nisë një fushatë sensibilizuese dhe këshilluese. Kaloriferët do të ulen me një gradë – nga 20 në 19, dhe do të mbahen në punë një orë më pak në zona të ndryshme të vendit ku temperaturat nuk do të jenë shumë të ulëta.

Vetëm nga zyrat e punës në vend kërkesa arrin deri në 150 milion metra kub në ditë. Ndërsa për sa i përket kursimit vullnetar këshillohet ulja e temperaturës së ujit gjatë dushit si dhe kohëzgjatja e tij të jetë deri në 3 minuta. Gatimi me temperaturë më të ulët si në furnella njësoj dhe në furra. Heqja nga përdorimi i pjatalarësve dhe vënia në punë e lavatriceve vetëm kur të jenë të mbushura plot. Gjithashtu heqja nga priza e elektroshtëpiakeve që nuk përdoren dhe një temperaturë sa më ekonomike për frigoriferin.

Për t’u larguar nga varësia prej Moskës, qeveria italiane ka në plan të ndryshojë burimet për furnizimin me gaz, por dhe të reduktojë me 5 miliard metra kub konsumin vendor deri në 2025-ën, duke plotësuar kërkesën me burime të rinovueshme dhe politika të efikasitetit energjitik.

Është sërish në nivele maksimale prodhimi kombëtar i qymyrit, që sipas qeverisë do të jetë i tillë deri në fund të marsit 2023.

Rregullorja e Bashkimit Europian e miratuar në muajin korrik parashikon një mekanizëm alarmi dhe solidariteti mes vendeve, dhe mbështetet në një reduktim të konsumit në bazë vullnetare deri në 15% të kërkesës vjetore. Por në rast se do të ketë një situatë alarmi në 5 vende anëtare të Bashkimit Europian për shkak të mungesës së gazit, atëherë reduktimi i konsumit do të jetë i detyrueshëm për të gjitha vendet.

SCAN

 

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat