Bota Postuar më 19 Janar 2023, 10:43

Pse fabrika kimike gjermane, më e madhja në botë, po humbet miliarda euro në Rusi?!

Nga SCAN TV
Pse fabrika kimike gjermane, më e madhja në botë, po humbet

Koncerni më i madh kimik në botë BASF ka shënuar në vitin 2022 një humbje prej 1,3376 miliardë eurosh, pasi kishte fituar 5,5 miliardë në 2021. Këtë e njoftoi koncerni të martën në mbrëmje duke u bazuar në shifrat paraprake. Analistët kishin përllogaritur një fitim mesatar prej afro 4,8 miliardë eurosh, edhe pse gjatë vitit koncerni regjistroi zhvlerësime të larta tek shoqëria bijë Wintershall Dea.

Por në tremujorin e katërt u shënuan korigjime të tjera të vlerës në më shumë se 5.4 miliardë euro, pasi Wintershall Dea po planifikon tërheqjen e plotë nga bizneset e saj në Rusi. Gjithsej amortizimet arritën në rreth 7.3 miliardë euro. Sipërmarrja e naftës dhe gazit Wintershall Dea është e detyruar të tërhiqet nga biznesi i saj në Rusi thuajse një vit pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Në prill Wintershall Dea pati njoftuar se dëshironte t'i mbante projektet e saj ekzistuese në Rusi. Arsyeja ishte përgjegjësia e sipërmarrjes për punonjësit e saj dhe për furnizimin me energji të Europës. Tani koncerni e ka ndryshuar krejtësisht qëndrimin.

Kompania është e përfshirë në tre projekte prodhimi në fushën e gazit natyror Yushno Russkoye si dhe në formacionin Achimov të fushës Urengoi në Siberi. Pjesa e biznesit rus në prodhimin e përgjithshëm kohët e fundit ka qenë 50 %. Bashkëpunimin e ngushtë me Rusinë, për të cilin Wintershall është kritikuar në të kaluarën, menaxhmenti para luftës e ka mbrojtur gjithmonë duke theksuar se pa Rusinë nuk do të kishte siguri energjetike për Europën.

Largimi nga Rusia çon tani në një humbje të menjëhershme prej 5.3 miliardë eurosh për Wintershall Dea. Kompania tani dëshiron të zhvillohet jashtë Rusisë, vëmendja është drejtuar tani nga Norvegjia, Algjeria, Argjentina dhe Meksika.

Wintershall Dea u krijua në 2019 nga bashkimi i bijës së BASF Wintershall me rivalin e saj Dea. Koncerni kimik në Ludwigshafen ende mban 72.7 %, pjesa tjetër është e ish-pronarit të Dea, LetterOne. BASF në fakt donte të tërhiqej nga biznesi i naftës dhe gazit dhe ta listonte Wintershall Dea në bursë. Por nxjerrja në bursë u shty disa herë dhe planet më pas u shkatërruan nga lufta në Ukrainë. Wintershall Dea po bëhej gjithnjë e më shumë si një gur i rëndë në qafën e BASF, me shpenzime të mëdha.

EBIT-i u ul me 11 % në 6.88 miliardë euro, duke rënë në fundin më të ulët të diapazonit të parashikimit prej 6.8 deri në 7.2 miliardë euro. Si konsumatori më i madh industrial i gazit në Gjermani, BASF pati shumë vështirësi sidomos për shkak të rritjes së dukshme të kostove të energjisë gjatë luftës në Ukrainë. Vetëm falë ngritjes së çmimeve dhe efekteve pozitive të valutës shitjet u rritën me 11 % në 87.3 miliardë euro. DW

E . S / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat