FunData Postuar më 7 Nëntor 2022, 17:58

Profili i një familje mesatare shqiptare/ Me 4 anëtarë, jeton në shtëpi private, me prona, 84 mijë lekë shpenzime në muaj, kryefamiljarin të paarsimuar, “mbahet” nga paga

Nga SCAN TV
Profili i një familje mesatare shqiptare/ Me 4 anëtarë, jeton

“Scan Intel” pak kohë më parë krijoi një profil hipotetik të shqiptarit mesatar, bazuar në statistikat zyrtare në vendin tonë (shiko këtu). Këtë herë do të ndalemi te identikiti i një familje mesatare shqiptare, bazuar po në shifrat zyrtare, si Instituti i Statistikave apo Banka e Shqipërisë.

Kështu, shifrat tregojnë se mesatarisht një familje shqiptare është e përbërë nga 3.7 anëtarë. Pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare, ose rreth 74% jeton në një shtëpi private, ku gjasat më të larta janë që të mos jetë mbi 90 metra katrorë, pasi 51.6% e njësive ekonomike familjare jetojnë në një shtëpi mes 51-90 metrave katrorë. Nga ana tjetër, rreth 93% e kanë në pronësi banesën ku jetojnë. Duke mbetur te pronat, të dhëna të tjera nga Banka e Shqipërisë tregojnë se mesatarisht 1 mijë familje kanë rreth 1500 prona, pra 1 pronë e gjysëm për një familje.

Sipas një vrotjimi të fundit të Bankës së Shqipërisë, 88% e familjeve shqiptare “mbahen” vetëm nga paga, dhe se pjesa dërrmuese nuk kanë një kredi, 78% e totalit. Shpenzimet mesatare mujore të një familje në vendin tonë fikoshen pranë rreth 84 mijë lekëve, dhe rreth 41% e totalit të shpenzimeve shkon vetëm për ushqime dhe pije joalkoolike. Sa i përket të ardhurave, rreth 52% e familjeve raportojnë një shifër mes 17 mijë dhe 50 mijë lekëve në muaj.

Gjithashtu, në pjesën dërrmuese të familjeve, në 87% prej tyre, kryefamiljari është vetëm me arsim 9 vjeçar apo të mesëm. Madje, në 52% të familjeve, kryefamiljari ka vetëm arsim 9 vjeçar. Sipas vrojtimeve të Bankës së Shqipërisë, vetëm 10% e familjeve kanë një llogari rrjedhëse, dhe vetëm 7% kanë një depozitë bankare.

Sa i përket automjetit si aset, me rreth 1 automjet për 4 persona, gjasat janë që një familje mesatare shqiptare ta ketë një të tillë, edhe pse sipas Bankës së Shqipërisë vetëm 40% e familjeve e kanë një të tillë.

Pra, bazuar në këto shifra, një familje mesatare shqiptare duket të jetë e përbërë nga 4 persona, të jetojë në shtëpi private, në pronësi të sajën, dhe të ketë edhe një gjysëm prone tjetër veç shtëpisë, të ketë jo më shumë se 50 mijë lekë të ardhura në muaj dhe të shpenzojë rreth 84 mijë lekë në muaj, veçanërisht për ushqim; kryefamiljarin ta ketë vetëm me arsim 9-vjeçar; të mos ketë një llogari rrjedhëse, e as një depozitë bankare, dhe të jetë me shumë fat të ketë një makinë.

Ky është gjithashtu një profil hipotetik i një familje mesatare shqiptare, bazuar vetëm në atë që thonë shifrat zyrtare.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat