Europa Postuar më 13 Nëntor 2023, 10:34

Problemet e vështira të ekonomisë së Gjermanisë - Plakja e popullsisë dhe modeli i saj industrial

Nga SCAN TV
Problemet e vështira të ekonomisë së Gjermanisë -

Rimëkëmbja e Gjermanisë nga goditja e trefishtë e gjysmës së parë të shekullit të 20-të me rënien e monedhës në 1923, Depresionin e Madh dhe disfatën në Luftën e Dytë Botërore ka qenë spektakolare, sa në vitet 1950-1960 quhej ‘mrekullia ekonomike e Gjermanisë’. Por, sot vendi ka sërish një problem.

Problemi sot nuk është aq serioz sa një shekull më parë, por ekonomia gjermane është goditur me siguri nga lufta në Ukrainë, ngadalësimi i Kinës dhe kthimi i globalizimit. Gjermania ka probleme më të thella si popullsia e saj në plakje dhe modeli i saj industrial. Shifrat e fundit nga sektori i prodhimit tregojnë Gjermaninë si një ekonomi analoge që po lufton për të kaluar në epokën dixhitale. Prodhimi industrial ka rënë për pesë muaj rresht dhe është ulur 7% krahasuar me nivelet para pandemisë. FMN parashikon se Gjermania do të jetë e vetmja ekonomi e zhvilluar që do të rrëshqasë në recesion këtë vit. Ekonomia e saj u tkurr në korrik dhe shtator dhe ka të ngjarë të bëjë të njëjtën gjë në tremujorin e fundit të vitit dhe për këtë arsye të jetë në recesion.

Vendi ka arritur të gjejë furnizues alternativë të energjisë për të kompensuar mungesën e gazit natyror rus, por po paguan më shumë për energjinë dhe industritë me energji intensive janë goditur. Performanca e saj e mirë para pandemisë ishte për shkak të kërkesës së fortë kineze për produkte gjermane. Por tani është ulur. Ndërkohë, prodhuesit e saj të automjeteve janë goditur dy herë nga automjetet elektrike të lira të Kinës dhe nga subvencionet e Uashingtonit për investime të gjelbra në SHBA.

Që kur Angela Merkel mbylli termocentralet bërthamore në vitin 2011, disa muaj pas aksidentit në Fukushima, Gjermania është bërë plotësisht e varur nga gazi i lirë rus. Dhe gjëja më e keqe ishte se në të njëjtën kohë ekonomitë e tjera të Eurozonës arritën të bëhen më të vetë-mjaftueshme.

Bundesbank, është shfaqur si një simbol i suksesit të vendit të pasluftës. Tepër e pavarur, ajo mori përsipër detyrën për të siguruar që ekonomia e Gjermanisë të mos kthehej më në ditët e errëta të vitit 1923, kur një pullë postare kushtonte sa një pallat sot. Që nga themelimi i BQE-së 25 vjet më parë, Bundesbank nuk është më ajo që përcakton normat e interesit ose është përgjegjëse për stabilitetin e çmimeve.

Megjithatë, presidenti i saj, Joachim Nagel, ruan ndikim të madh si jashtë ashtu edhe brenda vendit. Duke folur pak ditë më parë në Londër, ai pranoi se ishte gabim i Gjermanisë që varej në një masë të tillë nga gazi natyror rus. Megjithatë, ai deklaroi se ishte optimist se ekonomia e Gjermanisë do të ishte në gjendje të rimëkëmbej përsëri. Ai gjithashtu vuri në dukje se Gjermania është një ekonomi e madhe e hapur e ekspozuar ndaj problemeve globale të zinxhirit të furnizimit dhe ngadalësimit të Kinës. Por Nagel këmbëngul se vendi i tij ka potencial të madh për t'u rikuperuar dhe bizneset e tij do t'i përgjigjen sfidave siç kanë bërë në të kaluarën.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll
Shqipëria 13 Nëntor

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?!

Dollari amerikan është blerë sot me 97.4 lekë dhe është shitur me 98.3 lekë duke humbur pikë nga java e kaluar sipas kursit të këmbimit lokal. Monedha......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat