Europa Postuar më 13 Nëntor 2023, 10:05

Lituania, një “magnet” për kompanitë fintech - 7 mijë të punësuar në një popullsi prej 2.8 milionë banorësh

Nga SCAN TV
Lituania, një “magnet” për kompanitë fintech - 7

Aktualisht, në Lituani numërohen 263 kompani që i bashkohen sektorit të teknologjisë financiare, që punëson më shumë se 7 mijë persona në një vend me vetëm 2.8 milionë banorë.

Vendi cilësohet si i pari në Europë që lëshon licenca për bankat dixhitale. Autoritetet theksojnë se ky moment historik u bë i mundur falë faktit që vendi arriti të ndërtojë qendrën më të madhe të kompanive fintech në vendet anëtare të BE-së. Lituania është gjithashtu vendi i dhjetë më i mirë për këto kompani në renditjen botërore të vendeve, të përpiluar nga Indeksi Global Fintech.

Kryeqyteti i vendit, Vilnius, renditet i dyti në mesin e qyteteve për sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja, siç pasqyrohet në raportin e Qyteteve Europiane të së Ardhmes 2022. Përveç Brexit, zhvendosja masive e kompanive bjelloruse – e përmendur kryesisht për arsye sigurie – nga viti 2020 dhe strategjia e Lituanisë për të pozicionuar veten si portë për në tregun europian për startup-et me origjinë nga SHBA i kanë dhënë krahë të gjithë sektorit të inovacionit.

Që nga fillimi i këtij viti, vendi ka tashmë tre kompani që vlerësohen në më shumë se 1 miliard dollarë. Përveç kësaj, Lituania ka bërë të gjitha përpjekjet e saj për të udhëhequr sektorin e inovacionit në Europë për t'u bërë një pikë referimi globale në fushën e bankingut dixhital.

Lituania ka legjislacion shumë fleksibël, së bashku me një infrastrukturë dixhitale gjithnjë e më inovative. Vendi gjithashtu ka një reputacion për sigurinë kibernetike – duke u renditur aktualisht i gjashti në Indeksin Global të Sigurisë Kibernetike. Këta janë disa nga faktorët që shpjegojnë rritjen e kompanive në zhvillim në sektorin financiar në shtetin baltik. Në vitin 2016, vendi kishte vetëm 82 kompani të lidhura me fintech, një numër që është trefishuar në vetëm gjashtë vjet. Nga 263 aktuale, rreth gjysma janë lokale dhe në vitin 2022 ata mblodhën 67.9 milionë euro në fonde, duke katërfishuar shifrat për vitin 2020. Kompanitë e mbetura të fintech janë kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar - 33, Shtetet e Bashkuara të Amerikës - 16 dhe Estonia - 8.

Republika e vogël baltike – e cila, së bashku me Poloninë, është i vetmi vend në botë që ndan kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë – tashmë ka 1.000 startup-e teknologjike.

Lituania dëshiron të prezantohet në Europë si alternativa e Irlandës për platformat dixhitale. Përparësitë e saj bazohen në çmime shumë më konkurruese, përfitime tatimore dhe fuqi punëtore më të lirë. Vendi tashmë renditet i teti në renditjen e konkurrencës tatimore brenda OECD.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat