Bota Postuar më 20 Tetor 2023, 15:18

Powell: Inflacioni është ende i lartë - “Nevojitet ngadalësimi i ekonomisë për ta çuar në objektiv”

Nga SCAN TV
Powell: Inflacioni është ende i lartë - “Nevojitet

Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, pranoi se inflacioni është ftohur në kohët e fundit, por tha se banka qendrore është e “vendosur” në angazhimin e saj për ta çuar normën e inflacionit pranë objektivit prej 2%.

Në një fjalim të shumëpritur të mbajtur në Klubin Ekonomik të Nju Jorkut, Powell shmangu angazhimin për një rrugë të caktuar politike, por nuk dha asnjë tregues nëse normat e interesit do të rriten më tej. Ndërkohë që Powell fliste, tregtarët e kontratave “futures” i ulën pritshmëritë për një tjetër rritje të normës bazë të interesit në takimin e nëntorit. Gjithashtu, janë ulur edhe mundësitë për një shtrëngim të politikës monetare në takimin e fundit të këtij viti. “Inflacioni është ende shumë i lartë, dhe të dhënat e fundit janë vetëm fillimi i punës që duhet për të rritur besimin në tregje se inflacioni po shkon qëndrueshëm drejt objektivit tonë”, deklaroi Powell gjatë fjalës së tij në Klubin Ekonomik të Nju Jorkut. “Nuk e dimë ende me saktësi se kur inflacioni do të shkojë pranë objektivit, apo si do të jetë ecuria në muajt në vijim. Ndërkohë, që rruga do të jetë me pengesa do të nevojitet edhe pak kohë, kolegët e mi dhe unë jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për ta çuar inflacionin më 2%”, shtoi Powell.

Fjalimi i Powell vjen mes paqartësive të mëdha mbi kohën se kur Rezerva Federale do ti japë fund ciklit të politikës monetare shtrënguese, që synon të ulë inflacionin, i cili vitin e kaluar regjistroi nivele rekord. Pas komenteve të Powell, tregjet e aksioneve u kthyen në territor pozitiv, ndërsa yield-i i obligacioneve 10-vjeçare amerikan u stabilizua. Gjithashtu, Powell shtoi se mendon që normat e interesit nuk janë shumë të larta. Megjithatë, ai nënvizoi se normat e larta krijojnë vështirësi për të gjithë.

Gjatë ditëve të fundit, të dhënat e publikuara në SHBA treguan se inflacioni qëndroi në 3.7% për shtatorin, shumë lart objektivit të Rezervës Federale, por shumë poshtë rekordit prej 9% që shënoi në qershor të vitit 2022.

"Të dhënat e muajve të fundit tregojnë progres të vazhdueshëm drejt dy objektivave tona të mandatit të dyfishtë, punësimit maksimal dhe çmimeve të qëndrueshme," tha Powell. Në anën tjetër, shefi i Rezervës Federale vuri në dukje se tregu i punës dhe rritja ekonomike mund të ngadalësohen për të arritur objektivin e inflacioni.

Zyrtarët e Fed kanë përdorur rritjen e normave të interesit pjesërisht në përpjekje për të zvogëluar çekuilibrin ofertë-kërkese në tregun e punës. Rezerva Federale i ka rritur normat e interesit plot 11 herë që nga marsi i vitit 2022, në një total prej 5.25 pikë përqindjeje. Nga niveli gati zero një vit më parë, aktualisht norma bazë e interesit po qëndron në nivelin më të lartë në 22 vjet.

Komentet e Powell erdhën në të njëjtën ditë kur të dhënat treguan se aplikimet për përfitimin e asistencës së papunësisë, gjatë javës së kaluar, ranë në nivelin më të ulët që nga fillimi i vitit, që sugjerojnë se tregu i punës është ende i fortë dhe mund të ushtrojë presion në rritje mbi inflacionin.

Ditët e fundit, zyrtarë të tjerë të Rezervës Federale kanë deklaruar se banka qendrore duhet të jetë e durueshme. Edhe disa anëtarë që favorizojnë politikën monetare më të shtrënguar kanë thënë se mendojnë që mund të ndalë rritjen e normave të paktën tani për tani, pasi efektet e normave të interesit transmetohen me vonesë në ekonominë reale.

Edhe tregjet presin gjerësisht që Rezerva Federale të ndalojë rritjen e normave të interesit, megjithëse mbeten pikëpyetje të mëdha se kur do të fillojë ulja e normave.

“Duke pasur parasysh pasiguritë dhe rreziqet, dhe sa larg kemi shkuar, mendoj se Komisteti i Tregut të Hapur po ecën me kujdes. Ne do të marrim vendime në lidhje me një rritje tjetër apo edhe për sa kohë politika do të mbetet e shtrënguar, bazuar në tërësinë e të dhënave, perspektivën e ekonomisë dhe balancën e rreziqeve,” përfundoi Powell.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat