Analiza Postuar më 25 September 2026, 10:38

Shqipëria konkurron botën! Turizmi/WEF: Fitojmë 10 vende në dy vjet në indeks, çmimet mbeten avantazh

Nga Xhorxhina Deda

xh.d.png

Shqipëria ka shënuar përmirësimin më të madh në botë në kushtet që mbështesin zhvillimin e turizmit gjatë dy viteve të fundit. Këtë herë vlerësimi nuk vjen nga numri i turistëve apo nga të ardhurat e sektorit, por nga World Economic Forum, në raportin e ri “Travel & Tourism Development Index 2026”.

Mes 110 ekonomive të përfshira në indeks, Shqipëria renditet në vendin e 53-të në botë, me 4.14 pikë nga 7. Krahasuar me vitin 2024, rezultati i vendit është rritur me 7%, ndërsa Shqipëria ka fituar 10 vende në renditje, duke kaluar nga vendi i 63-të në të 53-in. Ky është përmirësimi më i madh i regjistruar nga çdo ekonomi e përfshirë në indeks për periudhën 2024-2026. World Economic Forum e veçon Shqipërinë si ekonominë me progresin më të madh në rang global.

Rezultati bëhet edhe më domethënës po të krahasohet me tendencën globale. Mes viteve 2024 dhe 2026, 92% e ekonomive të renditura e përmirësuan rezultatin e tyre, ndërsa mesatarja e indeksit u rrit me rreth 2.1%. Shqipëria, me një përmirësim prej 7%, ka ecur me një ritëm mbi tri herë më të lartë se mesatarja globale.

20 vende më lart se në vitin 2019

Përmirësimi nuk kufizohet vetëm te dy vitet e fundit. Sipas serisë historike të rillogaritur nga World Economic Forum, Shqipëria ka fituar 20 pozicione krahasuar me vitin 2019. Nga rreth vendi i 73-të në 2019, ajo ka arritur në vendin e 53-të në 2026, ndërsa rezultati i përgjithshëm është rritur me 12.8% gjatë kësaj periudhe.

Por, duhet theksuar se Forumi ka rillogaritur rezultatet e viteve 2019, 2021 dhe 2024 sipas metodologjisë së edicionit të ri dhe rekomandon që krahasimet historike të bëhen vetëm me këto seri të përditësuara. 

Infrastruktura turistike, përmirësimi më i madh i Shqipërisë

Sipas raportit, tre faktorë kanë luajtur rol kryesor në ngjitjen e Shqipërisë: shërbimet dhe infrastruktura turistike, infrastruktura e transportit ajror dhe infrastruktura tokësore e portuale. Veçanërisht e fortë është ecuria në kategorinë “Tourist Services and Infrastructure”. Në këtë shtyllë, Shqipëria rezulton ekonomia me përmirësimin më të madh në botë, me një rritje prej rreth 44% mes viteve 2024 dhe 2026, sipas të dhënave të paraqitura në raport.

Kjo shtyllë merr në konsideratë kapacitetet që e bëjnë të mundur pritjen dhe shërbimin e turistëve, përfshirë ofertën e akomodimit, produktivitetin e sektorit dhe investimet në turizëm. Në nivel global, pikërisht shërbimet dhe infrastruktura turistike kanë qenë një nga fushat që kanë përparuar më shpejt. Rezultati mesatar për këtë shtyllë është rritur me 9.2%, ndërsa infrastruktura e transportit ajror me 7.2% mes viteve 2024 dhe 2026.

Për Shqipërinë, WEF e lidh përmirësimin e përgjithshëm pikërisht me shtimin e kapaciteteve të shërbimit dhe përmirësimin e aksesit në destinacion.

Shqipëria vazhdon të ketë avantazh te çmimet

Në kapitullin “Compete on value, not price”, World Economic Forum e përmend në mënyrë të posaçme Shqipërinë. Sipas raportit, vendi ka përfituar duke u ofruar vizitorëve një alternativë më të përballueshme krahasuar me destinacionet fqinje, pa humbur tërheqjen e eksperiencës turistike. Pra, çmimi vazhdon të jetë një nga avantazhet konkurruese të Shqipërisë.

Por mesazhi i raportit nuk është se Shqipëria duhet të mbetet thjesht një “destinacion i lirë”. Përkundrazi, Forumi paralajmëron se ruajtja e këtij avantazhi po bëhet më e vështirë për shkak të inflacionit, rritjes së kostove të punës dhe transportit më të shtrenjtë.

Sipas raportit, konkurrueshmëria e çmimeve është përkeqësuar në rreth 75% të ekonomive të analizuara mes viteve 2024 dhe 2026, ndërsa rezultati mesatar global i kësaj shtylle ka rënë me 3.1%. Në të njëjtën kohë, çmimet e dhomave në hotelet e kategorisë së mesme e lart janë rritur mesatarisht me rreth 6% në ekonomitë e përfshira në indeks. 

WEF e përkufizon “Price Competitiveness” si matjen e kostos për të vizituar një vend, për të udhëtuar brenda tij dhe për të ushtruar aktivitet ekonomik në të. Kjo shtyllë ndërtohet nga katër tregues: çmimet e hoteleve, fuqia blerëse, çmimet e karburanteve dhe çmimet e akomodimit afatshkurtër.

Si qëndron Shqipëria në rajon?

Pavarësisht përmirësimit të shpejtë, Shqipëria ende nuk është ndër ekonomitë europiane me rezultatet më të larta.

Në renditjen e vitit 2026, Greqia është në vendin e 21-të me 4.57 pikë, Bullgaria në vendin e 39-të me 4.34 pikë dhe Kroacia në të 46-in me 4.25 pikë. Shqipëria vjen më pas në vendin e 53-të me 4.14 pikë. Nga ana tjetër, ajo pozicionohet dukshëm më lart se Serbia, e 68-ta me 3.89 pikë, Maqedonia e Veriut, e 81-ta me 3.64 pikë, dhe Bosnje Hercegovina, e 83-ta me 3.58 pikë. Mali i Zi nuk është pjesë e renditjes së vitit 2026. WEF sqaron se ai ishte ndër ekonomitë e përfshira në edicionin 2024, por jo në atë të këtij viti.

Pra, Shqipëria nuk është vendi me turizmin më të zhvilluar në botë dhe as në rajon. Ajo është vendi që, sipas WEF, ka bërë përmirësimin më të shpejtë gjatë dy viteve të fundit.

Duhet theksuar se indeksi nuk mat drejtpërdrejt numrin e turistëve, shpenzimet apo të ardhurat nga turizmi. Ai vlerëson kushtet dhe politikat që mundësojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe rezistent të sektorit. Për Shqipërinë, sfida e radhës është që rritja e fortë e turizmit të shoqërohet me më shumë cilësi, infrastrukturë dhe një raport më të mirë mes çmimit dhe eksperiencës së ofruar.

Për Albin 2.jpgindeksiii.PNG

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat