Kosova Postuar më 25 September 2026, 11:01

Strategji e re financiare - Banka Qendrore e Kosovës nis hartimin. Fokus te qytetarët dhe bizneset

Nga Edel Strazimiri

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka nisur një proces të ri për hartimin e Strategjisë për Edukimin dhe Qëndrueshmërinë Financiare, në bashkëpunim me Bankën Botërore.

Sipas BQK, strategjia synon të shkojë përtej edukimit financiar tradicional, duke u fokusuar jo vetëm në rritjen e njohurive, por edhe në përmirësimin e mirëqenies dhe shëndetit financiar të qytetarëve. Në fokus do të jenë edhe praktikat e shëndosha financiare, menaxhimi i rreziqeve, përfshirë rreziqet kibernetike, si dhe fuqizimi i qytetarëve dhe përdoruesve të shërbimeve financiare për të marrë vendime më të sigurta dhe më të informuara.

“Rritja e njohurive financiare përbën një element të rëndësishëm për fuqizimin e konsumatorëve financiarë, rritjen e besimit në sektorin financiar dhe zhvillimin e një sistemi financiar më të qëndrueshëm, transparent dhe të qasshëm për të gjithë”, thuhet në njoftimin e BQK.

Strategjia do të hartohet përmes një procesi konsultativ me institucione publike, sektorin financiar, institucionet akademike, partnerët ndërkombëtarë dhe grupet e tjera të interesit.

Banka Botërore po ofron asistencë teknike për këtë proces përmes fazës së dytë të Programit për Remitancat dhe Pagesat, të financuar nga Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO).

Strategjia pritet të shërbejë si kornizë për koordinimin e iniciativave në fushën e edukimit, shëndetit dhe mirëqenies financiare, me fokus te qytetarët, bizneset mikro dhe bizneset e vogla.

Procesi është pjesë e zbatimit të Planit Strategjik të BQK-së 2024–2028 dhe synon të kontribuojë në zhvillimin e një sistemi financiar më të qëndrueshëm, të sigurt, transparent dhe gjithëpërfshirës në Kosovë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat