Shqipëria Postuar më 23 Maj 2022, 13:21

Policia Rrugore “heq” bllokun - Verifikim direkt gjobave të papaguara. Tenderi 357 milionë lekë për 250 agjentë

Nga SCAN TV

Punonjësit e Policisë Rrugore do të kenë akses direkt në të dhënat e automjeteve, duke shmangur procedurën e verifikimit me radio në qendër në rastet e kundërvajtjeve. Aktualisht, janë vetëm 250 agjentë policie që janë të pajisur me kompjuter mobile dhe printer portative.

Agjentët e tjerë të Policisë Rrugore, verbalizimin e kundravajtjeve e kryejnë në mënyrë fizike. Koha nga regjistrimi, verifikimi deri tek njoftimi i kundravajtësit është e lartë dhe gjeneron kosto shtesë. Të dhënat nga blloqet fizik hidhen manualisht në sistemin  e integruar e-gjoba i cili është i ngritur në serverat e Policisë së Shtetit

Prej vitit 2012 Policia e Shtetit ka në përdorim një sistem për menaxhimin e kundravajtjeve të Kodit Rrugor dhe prej gjysmës së parë të vitit 2019, 250 agjentë të Policisë Rrugore janë pajisur me kompjutera mobile dhe printera portative, për vendosjen e gjobës elektronike.

Me anë të kësaj zgjidhjeje, agjentet e pajisur me këto pajisje, verbalizojnë shkeljen në një kohë shumë më të shkurtër dhe pa gabime, dhe masa administrative regjistrohet në sistem në kohë reale.

Po ashtu, në mënyrë automatike, me vendosjen e targës së mjetit, agjenti njoftohet për shkelje të tjera që mjeti ka, gjobat e mëparshme të papaguara, siguracion të papaguar dhe taksa të papaguara duke e lehtësuar procesin e verifikimit.

Për të avancuar më tej në aspektin teknologjik, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur një tender me vlerë 357 milionë lekë për përmirësimin e sistemit e-gjoba, integrimi me pajisjet mbështetëse radar dhe plotësimi me tableta për Policinë e Shtetit.

Me anë të këtij investimi synohet vazhdimi i procesit të digjitalizimit të procedurës së verbalizimit të kundravajtjeve rrugore, duke pajisur më shumë oficerë policie me pajisjet e nevojshme.

Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor evidentojnë nevojën për ndryshime dhe përmirësim të sistemit e-Gjoba dhe komunikimin e tabletës me këtë sistem.

Me ndryshimin e Kodit Rrugor, agjenti i policisë rrugore merr të drejtën e aplikimit të heqjes së pikëve në patentë, të pezullimit të lejes së drejtimit apo lejes së qarkullimit.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat