Shqipëria Postuar më 4 Korrik 2024, 11:56

“Personat në nevojë punësohen në ndërmarrje sociale” - Rreth 1000 familje do të dalin nga skema e ndihmës ekonomike deri në 2027-ën

Nga SCAN TV
“Personat në nevojë punësohen në ndërmarrje

Në tre vitet e ardhshëm, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale synon të zvogëlojë numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike dhe të ofrojë mbështetje më të madhe për personat nga kategoritë e pafavorizuara. Konkretisht, Ministria do të bëjë të mundur integrimin në tregun e punës të individëve dhe familjeve në nevojë që nuk do të përfitojnë më nga skema e ndihmës ekonomike, nëpërmjet punësimit të tyre në ndërmarrjet sociale.

Për individët që do të vazhdojnë të përfitojnë ndihmë ekonomike, apo pagesën e aftësisë së kufizuar, nuk është parashikuar asnjë rritje në shumën e përfitimit.

Rreth 55,410 familje përfituan nga skema e ndihmës ekonomike në 2023-in, shifër që ka ardhur në rënie me kalimin e viteve. Por, gjatë këtij viti dhe në 2025-ën pritet të ketë një numër më të lartë aplikimesh nga familje dhe individë në nevojë që kërkojnë të përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike. Kjo kërkesë e lartë do ta çojë numrin e përfituesve në mesatarisht 62 000 në vit. Nga 2026 në vitin 2027, synohet që ky numër të ulet me 1000 familje nëpërmjet punësimit të anëtarëve që janë në moshë pune.

Sa i takon mbështetjes së personave nga grupet e pafavorizuara, mesatarisht 148 persona do të punësohen në ndërmarrje sociale çdo vit nga 60 që parashikohen në 2024-ën. Koncepti i ndërmarrjes sociale kombinon zhvillimin ekonomik me atë social, ku biznese të caktuara ofrojnë mundësi punësimi për personat e përjashtuar nga tregu i punës për arsye të caktuara.

Gjithashtu, do të favorizohen politikat që sigurojnë mbrojtje të veçantë nga shteti për gratë e papuna, të cilat kanë tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, me kusht që njëri prej fëmijëve të jetë nën moshën 5 vjeç dhe familja të ketë të ardhura nën 100 mijë lekë. Periudha e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5 vjeçare do të njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje. Kësaj politike do t'i kushtohet një fond prej 850 milionë lekësh në 3 vitet e ardhshme dhe numri i përfituesve gra do të shkojë në 8500.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat