Shqipëria Postuar më 3 Nëntor 2023, 14:28

Përmbytje, trafik dhe rrugë të bllokuara: Stuhia ‘Ciaran’ prek dhe Shqipërinë! Si parashikohet moti për fundjavën?

Nga SCAN TV

Reshje të pazakonta që përfshinë kryeqytetin gjatë mesditës së sotme kanë përmbytur disa rrugë në Tiranë, ndërsa lumi Lana në disa zona ka dalë nga shtrati duke krijuar vështirësi në qarkullim. “Orët e fundit Tirana është përfshirë nga një stuhi e fortë me reshje të shumta shiu, e ngjashme me stuhinë Ciaran që ka goditur Firencen dhe Toskanën gjatë natës,” ka bërë me dije kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ndërkaq nga akset rrugore më të qarkullueshme autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar nga trafiku sikurse edhe në rrugën dytësore pasi shiu ka arritur deri në disa centimetra. Kushtet e përkeqësuara atmosferike në gjirin e Vlorës dhe Shëngjin, sollën edhe pezullimin e lundrimit të mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit dhe sipas njoftimit të kapitenerisë së portit të Vlorës, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.

Veliaj u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në 24 orët në vijim dhe të ulin lëvizjet e panevojshme deri sa situata të normalizohet. Sipas njoftimit ekipet e posaçme janë aktualisht në terren për normalizimin e situatës.

Për fundjavën vendi ynë do të ndikohet nga kushte kryesisht të paqëndrueshme atmosferike si pasojë e periferisë së një stuhie të fortë që ka përfshirë jo vetëm vendin tonë por edhe një pjesë të madhe të Europës, bën me dije Shërbimi Meteorologjik Ushtarak i vendit.

Sipas njoftimit për ditën e Shtunë nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mesditës moti parashikohet me vranësira të dendura e reshje shiu të vazhdueshme dhe intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave, shoqëruar me shkarkesa të forta elektrike dhe breshër.

Ndërkaq për ditën e Diel, bazuar në informacion e publikuar nga SHMU, moti nis me alternime kthjellimesh e vranësirash me këto të fundit më tepër të theksuara në veriperëndim dhe jugperëndim ndërsa më orët e pasdites në zonën e veriperëndimit dhe jugperëndimit reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave.

SHMU thekson se për ditën e Diel pritet erë tepër intensive dhe problematike kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore ndërsa era pritet të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut dhe shpejtësi mesatare 3-12m/s ndërsa me rrahje era intensive 15-25m/s shoqëruar me dallgëzim të lartë në dete të forcës 5-7 ballë.

E . S / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat