Shqipëria Postuar më 7 Tetor 2022, 12:12

Përkeqësohet treguesi i ndjesisë ekonomike - Niveli më I ulët që nga 2022. Reflektoi rënien e besimit në ndërtim e shërbimeve

Nga SCAN TV
Përkeqësohet treguesi i ndjesisë ekonomike - Niveli më I

Treguesi i ndjesisë ekonomike regjistroi rënie me 1.9 pikë në muajin shtator, duke arritur nivelin më të ulët që nga viti 2022. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë treguan se, shkak për të u bënë rënia e besimit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve, si dhe përkeqësimi i besimit të konsumatorëve.

Nga ana tjetër, treguesit e besimit për sektorët e industrisë dhe tregtisë shënuan përmirësime të lehta në muajin shtator.

Treguesi i besimit në ndërtim shënoi rënien më të madhe nga të gjithë sektorët prej 5.3 pikë përqindjeje, shkaktuar nga përkeqësimi i vlerësimit të bizneseve për aktivitetin e tyre ndërtues. Nga ana tjetër, vlerësimi i tyre për kontratat porositëse ishte në rritje në këtë muaj. Pritjet e bizneseve të ndërtimit për punësimin dhe pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen shënuan rënie.

Rënie të ndjeshme në muajin shtator ka regjistruar edhe sektori i shërbime me 3 pikë përqindje, për të tretin muaj radhazi, si rrjedhojë e vlerësimeve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe vlerësimeve për kërkesën. Pritjet e bizneseve të shërbimeve për çmimet që do të vendosin në të ardhmen janë rritur në këtë muaj.

Edhe treguesi i besimit konsumator u përkeqësua me 3.1 pikë përqindje, ndikuar kryesisht nga përkeqësimi i pritjeve për situatën e përgjithshme ekonomike dhe rënia e balancave si për blerjet aktuale, ashtu edhe për blerjet e pritura. Vlerësimet e konsumatorëve për situatën e pritur financiare mbetën pothuajse të pandryshuara

Të vetmit sektorë që kanë regjistruar një rritje të lehtë, janë industria dhe tregtia.

Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 1 pikë përqindje, ndikuar nga përmirësimi i kërkesës së huaj dhe asaj të brendshme, ndërkohë që vlerësimet për prodhimin aktual shënuan rënie. Gjithashtu, pritjet e bizneseve të industrisë për prodhimin në të ardhmen kanë pësuar rënie. Pritjet e bizneseve të industrisë për çmimet e produkteve që do të prodhojnë janë rritur në muajin shtator (Tabelë 2, sektori i industrisë).

Edhe treguesi i besimit në tregti u rrit me 1 pikë përqindje, ndikuar nga vlerësimet më optimiste të bizneseve të këtij sektori për ecurinë aktuale të biznesit, ndërkohë që pritjet për punësimin në muajt e ardhshëm mbetën pothuajse të pandryshuara. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë pësuar rritje edhe në këtë sektor.

Sipas Bankës Qendrore, treguesit me frekuencë tremujore shfaqën në përgjithësi sinjale negative krahasuar me rezultatet e vrojtimeve të tre muajve më parë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi rënie në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve dhe mbeti pothuajse e pandryshuar për industrinë. Ky tregues rezultoi me rritje në sektorin e ndërtimit. Treguesi i gjendjes financiare të bizneseve u përkeqësua për të gjithë sektorët gjatë tremujorit të tretë të vitit 2022.

Lorenc Rabeta / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat