Shqipëria Postuar më 31 October 2026, 10:01

Pa legalizim, bonus qiraje 5 vite - Qeveria zgjat mbështetjen për familjet që nuk përfitojnë legalizimin e ndërtimeve pa leje

Nga Ledina Elezi

Pa legalizim, bonus qiraje 5 vite - Qeveria zgjat mbështetjen për

Për personat që marrin bonus qiraje nga shteti për shkak të moslegalizimit të ndërtimit të tyre pa leje, do e përfitojnë tashmë për 5 vite nga 3 vite që ishte më parë. Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, për të gjithë ata që trajtohen me bonus qiraje, do të zgjatet periudha e përfitimit të tij. 

Ekzistojnë plot ndërtime pa leje të cilave shteti nuk i jep legalizimin, për shkak se preken nga një projekt publik, objekti cenon integritetin strukturor ose funksional të një ndërtese në pronësi private, si dhe cenon sigurinë e jetës, shëndetit ose pasurinë e vetë poseduesit apo të të tretëve. Po ashtu, nuk jepet legalizimi kur ndërtimi pa leje është me funksion social-ekonomik ose ndërtim i dytë dhe njëkohësisht është ngritur mbi truall privat, në pronësi të të tretëve. Këtu futen edhe rastet kur drejtoria vendore e ASHK-së është njoftuar për ekzistencën e një vendimi gjykate të formës së prerë, ku kërkohet kthimi i objektit.

Kur për këto arsye nuk është dhënë legalizimi, personave i është ofruar një banesë tjetër nga shteti përmes Fondit të Banesave, një bonus qiraje për 3 vite, bonus që tashmë shkon në 5 vite ose një trajtim tjetër alternativ. 

Edhe për ata që përfitonin një bonus përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të aplikohet zgjatja e periudhës së përfitimit.

Prej pak kohësh, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur një fushatë legalizimesh ku vetëm në 9 muaj janë dhënë mbi 28 mijë vendime për legalizimet, shifër që e tejkalon të gjithë volumin e vitit 2025. ASHK vijon me verifikimin derë më derë të të gjitha ndërtimeve informale, me qëllim që deri në fund të 2028 të përfundojnë të gjitha legalizimet. Ndërkohë, për disa prej rasteve që përjashtohen nga legalizimi, do të veprohet si më sipër. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat