Bota Postuar më 31 October 2026, 09:51

BE-Kanada thellojnë bashkëpunimin - Në fokus, inteligjenca artificiale, klima, energjia dhe siguria

Nga Lidion Kulla

BE-Kanada thellojnë bashkëpunimin - Në fokus, inteligjenca

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, po zhvillon një vizitë zyrtare në Kanada, nga ku deklaroi thellimin e bashkëpunimit në sektorin e inteligjencës artificiale, të klimës, energjisë dhe sigurisë. Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe mundësia që Kanadaja të bëhet “anëtari i parë i asociuar” i unionit.

Bashkimi Europian dhe Kanadaja synojnë të thellojnë bashkëpunimin në fushën e inteligjencës artificiale, klimës, energjisë dhe sigurisë, ndërsa shqyrtojnë mundësinë që Kanadaja të bëhet “anëtari i parë i asociuar” i unionit, deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Megjithatë termi, të cilin shumë vende të BE-së e kundërshtojnë, nuk ka asnjë kuptim ligjor.

Lidhjet më të ngushta me Europën janë pjesë e strategjisë së kryeministrit Mark Carney, për të ulur varësinë ekonomike dhe të sigurisë të Kanadasë nga SHBA, që kur Presidenti Donald Trump vendosi tarifa ndaj mallrave kanadeze. Megjithatë, përpjekjet e Kanadasë për t’u afruar më shumë me BE-në rrezikojnë të zemërojnë presidentin amerikan, ndërkohë që bisedimet tregtare vazhdojnë.

“Ideja jonë është e thjeshtë: është një asocim pa anëtarësim,” tha von der Leyen në një fjalim në Montreal, në kuadër të samitit mes Kanadasë dhe BE-së. “Ne mund të ndërtojmë një partneritet që i afrohet anëtarësimit më shumë se çdo gjë tjetër që kemi bërë më parë. Ne mund të punojmë për gjithçka, nga inteligjenca artificiale dhe klima e deri te energjia apo siguria”, shtoi ajo. 

Megjithatë, udhëheqësit kanadezë dhe europianë e hoqën idenë e anëtarësimit të asociuar në BE nga deklarata e tyre e përbashkët, duke rënë dakord për një “bashkëpunim gjithmonë e më të ngushtë”. Deklarata thekson se puna për përcaktimin e marrëdhënies mes Kanadasë dhe BE-së do të vazhdojë deri në një samit tjetër vitin e ardhshëm.

Von der Leyen e hodhi për herë të parë idenë e anëtarësimit të asociuar për Kanadanë gjashtë javë më parë, në fjalimin mbi “gjendjen e unionit”, gjë që shkaktoi kundërshtime nga vende të udhëhequra prej Gjermanisë. Vendet argumentuan se nuk mund të pranonin një koncept që nuk kishte status ligjor dhe që nuk ishte përpunuar në detaje.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat