Shqipëria Postuar më 31 October 2026, 09:59

Rezervistët, kompensim biznesit - Aktivizimi në shërbimin ushtarak nuk do t'u ngarkojë punëdhënësve kosto sigurimi dhe tatimi

Nga Ledina Elezi

Rezervistët, kompensim biznesit - Aktivizimi në shërbimin

Për të gjithë ato biznese apo organizata jofitimprurëse që kanë të punësuar persona që shërbejnë edhe si ushtarakë rezervistë, do të kompensohen financiarisht në rast se punonjësit e tyre thirren në detyrë. Në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare thuhet gjithashtu se të vetëpunësuarit që gëzojnë në të njëjtën kohë edhe statusin e rezervistit, do të kompensohen në momentin që aktivizohet. 

Por çfarë përfshin ky kompensim? 

Për biznesin dhe organizatën jofitimprurëse, masa e kompensimit financiar përfshin kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punëdhënësit dhe punëmarrësit, tatimin mbi të ardhurat, si diferencën ndërmjet pagës bruto mujore, që punëmarrësi përfiton sipas marrëdhënies së punës dhe pagës bruto që përfiton si ushtarak i shërbimit rezervist. Kjo zbritet vetëm në rast se paga bruto e punës është më e lartë se paga bruto e përfituar si ushtarak i shërbimit rezervist. Ndërkohë, për të vetëpunësuarit, masa e kompensimit përfshin kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe tatimin mbi të ardhurat.

Një strukturë e ngritur në njësinë e Forcave të Armatosura do të shqyrtojë dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e kompensimit financiar. Për të përfituar, bizneset duhet të jenë të regjistruara ligjërisht, të kenë paguar rregullisht sigurimet dhe të kenë dhënë dakordësinë me shkrim për aktivizimin e punonjësit.

Në 2024, Shqipëria miratoi ligjin për shërbimin ushtarak të rezervistëve, ndërsa synon që deri në vitin 2030 të ketë të paktën 2100 rezervistë. Këta të fundit duhet të përbëjnë rreth 20% të forcës aktive. Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak rezervist është zakonisht nga 14 deri në 45 ditë kalendarike në vit. Për këto ditë aktivizimi përfiton pagesën përkatëse, rreth 4,600 lekë në ditë. Pikërisht në këtë rast, bizneset, organizatat jofitimprurëse apo të vetëpunësuarit, kompensohen financiarisht. 

Shtetasi, me pranimin në shërbimin ushtarak aktiv, nënshkruan kontratën ku përcaktohet edhe koha e shërbimit ushtarak në rezervë për një periudhë jo më pak se 2 vjet, me të drejtë rinovimi, por pa kaluar kriteret e qëndrimit në shërbimin ushtarak në rezervë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat