Bota Postuar më 5 Maj 2022, 13:06

Nafta zgjeron fitimet - Për shkak të shqetësimeve të furnizimit, pasi BE propozoi ndalimin e naftës ruse!

Nga SCAN TV

Çmimet e naftës zgjeruan fitimet të enjten për shkak të shqetësimeve për furnizimin, ndërsa propozimi i Bashkimit Europian parashtronte planet për sanksione të reja kundër Rusisë, përfshirë një embargo ndaj naftës së papërpunuar në gjashtë muaj, duke kompensuar shqetësimet për kërkesën më të dobët kineze.

Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent të Londrës u rritën me 85 cent, ose 0.8%, në 110.99 dollarë për fuçi ndërsa nafta e papërpunuar të Teksasit Perëndimor u rritën me 65 cent, në 108.46 dollarë për fuçi. Të dy kontratat u rritën mbi 1 dollar për fuçi më herët në seancë, pasi fituan më shumë se 5 dollarë për fuçi të mërkurën.

Propozimi i sanksioneve, që u njoftua nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen që duhet të miratohet unanimisht nga 27 vendet anëtare për të hyrë në fuqi, përfshin heqjen graduale të furnizimeve të naftës së papërpunuar ruse në gjashtë muaj dhe produkteve të rafinuara deri në fund të vitit 2022.

Ndërkohë, Bashkimi Europian po përballet me sfidën për të gjetur furnizime alternative në një kohë kur çmimet e energjisë janë rritur. BE importon rreth 3.5 milionë fuçi naftë dhe produkte nafte ruse çdo ditë dhe gjithashtu varet nga furnizimet me gaz të Moskës.

Të enjten, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe prodhuesit aleatë, të njohur si OPEC+, pritet të bien dakord për të rritur objektivat e prodhimit me 432,000 fuçi në ditë për qershorin. Kështu, OPEC+ do t'i përmbahet planeve për një rritje graduale të prodhimit mujor.

Ndërkohë, një studim i sektorit privat tregoi se aktiviteti i sektorit të shërbimeve të Kinës u tkurr më tej në prill nën efektin e masave pandemike. Në Iran, rritja e çmimeve të naftës i ka dhënë një frymëmarrje ekonomisë së varur nga energjia.

Në Shtetet e Bashkuara, rezervat e naftës së papërpunuar u rritën me 1.2 milionë fuçi javën e kaluar pasi nga rezervat strategjike u hodh në treg më shumë naftë.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat