Europa Postuar më 10 Dhjetor 2022, 10:57

Mungojnë produktet ushqimore në Britani - Vendi po shkon drejt një dimri të zymtë, pasi çmimet vijojnë të rriten

Nga SCAN TV
Mungojnë produktet ushqimore në Britani - Vendi po shkon drejt

Përtej mungesës së disa produkteve, inflacioni i ushqimeve ka shënuar një rekord në Britaninë e Madhe gjatë muajit nëntor. Vendi po shkon drejt një dimri të zymtë, pasi çmimet vijojnë të rriten sipas Konsorciumit Britanik të Shitjeve me Pakicë – BCR – veçanërisht për mishin, vezët dhe qumështin. Rritja e çmimeve mund të fillojë të lehtësohet në vitin 2023.

Përveç inflacionit, mungesat dhe zinxhirët e zgjatur të furnizimit po lënë bosh raftet e supermarketeve duke privuar konsumatorët nga produktet kryesore.

Disa supermarkete në Mbretërinë e Bashkuar kanë raportuar mungesa në furnizimin me vezë gjatë muajit të fundit. Mungesa ka çuar në kufizimin e numrit të kutive që klientët mund të blejnë në zinxhirët kryesorë. Sipas Departamentit të Mjedisit, Ushqimit dhe Çështjeve Rurale, tregu i vezëve është ndikuar nga rritja e kostos së energjisë dhe ushqimit të kafshëve - pjesërisht e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës - si dhe nga një shpërthim i gripit të shpendëve. Kombinimi i ndërlikuar i faktorëve që kontribuojnë në presionin në tregun e vezëve do të thotë se nuk është e qartë se kur ka të ngjarë të përfundojë mungesa.

Konsumatorët duhet të presin mungesë të gjelave të detit këtë vit. 1 milion nga 8.5-9 milion gjelat e zakonshëm të prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar kanë ngordhur nga gripi i shpendëve.Rritja e çmimeve të energjisë - e kombinuar me mungesën e njerëzve për të grumbulluar të mbjellat - po prek gjithashtu kultivuesit e frutave dhe perimeve.

Kostoja e prodhimit për fermerët është rritur me 27% në 12 muajt e fundit. Më shumë janë prekur ushqimet si domatet, brokoli, mollët dhe perimet me rrënjë. Në korrik, prodhuesi më i madh i qumështit dhe gjalpit në Mbretërinë e Bashkuar, Arla Foods, paralajmëroi se vendi ishte në prag të mungesës. Një mungesë masive e punëtorëve nënkuptonte se fermerët duhej të reduktonin prodhimin. Edhe pse kjo mungesë nuk është materializuar ende në raftet e supermarketeve, çmimet e qumështit dhe gjalpit janë rritur ndjeshëm.

Flitet edhe për një “krizë të patates” pasi kjo kulturë vuan nga ndikimi i ndryshimeve klimatike. Çmimet e patates tashmë janë rritur me pothuajse 20 për qind dhe mund të dyfishohen këtë dimër.

Në përgjithësi, ndryshimet klimatike dhe çmimet e karburanteve fosile mund të bëjnë që inflacioni i ushqimeve të jetë rreth 11% në vitin 2022, sipas një raporti nga Njësia e Inteligjencës për Energjinë dhe Klimën.

Kjo do të thotë se faturat mesatare mujore të blerjeve shtëpiake do të rriten me 33.9 paund - rreth 400 paund në vit.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat