Shqipëria Postuar më 10 Janar 2024, 12:18

Mbi 222 mijë transaksione në euro në 2023 nga AIPS - U transmetuan përmes sistemit të pagesave të mëdha mbi 3.6 miliardë euro në 11 muaj

Nga SCAN TV

Numri i transaksioneve të kryera përmes sistemit AIPS për pagesat në euro brenda vendit ka kaluar shifrën prej 200 mijë ende pa u mbyllur viti 2023, ndërkohë që e njëjta gjë ka ndodhur edhe me vlerat monetare të transmetuara përmes këtij sistemi. Banka e Shqipërisë raporton se për periudhën janar-nëntor të vitit 2023, janë kryer përmes këtij sistemi 222,165 pagesa, për një total prej 3.6 miliardë eurosh. Shifrat janë në rritje të dukshme krahasuar me vitin e shkuar, kur numri total i transaksioneve u ndal në 156,044, në një kohë që nuk janë publikuar ende të dhënat e dhjetorit 2023.

Në rritje vjen në 2023 edhe volumi i parave të transmetuara përmes sistemit AIPS. Për periudhën janar-nëntor 2023, vlera e totale e transaksioneve ka arritur në 3.6 miliardë euro, ndërkohë që viti 2022 është mbyllur në total me 3.3 miliardë euro.

Sa i përket këtij viti, nëntori ka shënuar rënie të numrit të transaksioneve krahasuar me tetorin, i cili ishte edhe muaji me numrin më të lartë përgjatë gjithë vitit 2023. Në tetor rezultojnë në total 24,354 transaksione, më shumë se 3 mijë më shumë se nëntori, kur numri i tyre rezultoi 21,628, vlerë e përafërt me mesataren e transaksioneve përgjatë gjithë vitit.

Sa i përket volumit të parave të transferuara përmes sistemit AIPS, ato rezultojnë mjaft të larta në nëntor, megjithëse në numër më të reduktuar. Në nëtor janë tranferuar mbi 369 milionë euro, thuajse sa në muajin tetor, kur volumi i tyre 375 milionë euro, apo pak më shumë se 6 milionë euro më shumë.

Sistemi AIPS u vu në funksion që vitin e shkuar dhe mundësoi për herë të parë kryerjen e pagesave në euro brenda sistemit bankar shqiptar pa tarifa shtesë nga bankat mëmë. Më herët, transfertat kombëtare në Euro bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit.

Transfertat drejtoheshin të bankat mëmë, të cilat kryenin edhe veprimet me kosto shumë të larta, të cilat shkonin deri në 200-300 euro për çdo transaksion, ndërkohë që vonesa në kohë ishte një problem më vete. Vetëm gjatë vitit të shkuar u kursyen rreth 10 milionë euro kosto në formën e transfertave mes bankave korrespondente, ndërkohë që shifra prej 22 milionë eurosh e raportuar nga Banka e Shqipërisë pritet të shtohet edhe më tej, duke parë se dhjetori është muaj mjaft i ngarkuar me transaksione.

Në fund të vitit të shkuar, Banka e Shqipërisë bëri me dije se vetëm gjatë 2023, sistemi AIPS u ka kyrsyer shqiptarëve afërsisht 22 milionë euro.

Lorenc Rabeta/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat