Shqipëria Postuar më 20 Maj 2022, 12:53

“Mbështetje për shtresat në nevojë” - FMN rithekson këshillën kundër një amnistie të mundshme fiskale!

Nga SCAN TV

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë shqiptare të japë më shumë mbështetje për shtresat në nevojë dhe për ata që janë më të ekspozuar për t’i mbrojtur nga inflacioni. Kjo duhet mundësuar brenda nivelit të shpenzimeve ekzistuese të buxhetit për vitin 2022 përmes rishpërndarjes. Shtesa në mbështetjen e përkohshme për shtresat në nevojë, si dhe kostot e rritura për prokurimet ose punët publike, për shkak të ngritjes së çmimeve, duhen mbajtur brenda nivelit ekzistues të shpenzimeve të buxhetit përmes rishpërndarjeve.

Në deklaratën finale të ekipit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Znj. Yan Sun, theksohet se kursimi i të ardhurave të mundshme të mbledhura mbi planin, si dhe një konsolidim i besueshëm nga kahu i të ardhurave në periudhën afatmesme, janë thelbësore për rikrijimin e hapësirave të nevojshme për politikën fiskale.

Fondi, parashikon një rritje ekonomike në vitin 2022 për Shqipërinë në rreth 3%, e mbështetur nga turizmi dhe ndërtimi, por e zbehur nga ndikimi i çmimeve në rritje. Ndërkohë, pritet që inflacioni të mbetet në nivele të larta gjatë muajve në vijim, nxitur nga çmimet e importit, përpara se të kthehet sërish brenda objektivit në fillim të vitit 2024, duke pasqyruar ndikimin e shtrëngimit të politikës monetare.

FMN, mendon se borxhi publik dhe veçanërisht nevojat për rifinancim duhet të ulen për aq kohë sa ekonomia vazhdon të shënojë rritje. Ndërsa, përgëzon nismën e ndërmarrë nga qeveria për forcimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat, që synon thjeshtimin, rritjen e efikasitetit dhe barazi më të madhe mes tatimpaguesve, të cilët fitojnë lloje të ndryshme të ardhurash, FMN rithekson këshillën kundër një amnistie të mundshme fiskale, duke pasur parasysh shqetësimet për ndikimin e saj në përmbushjen tatimore, si dhe rreziqet që lidhen me pastrimin e parave dhe administrimin tatimor.

Përsa i përket trazirave në tregjet energjetike globale, që kanë rënduar më tej barrën fiskale, FMN apelon nevojën urgjente për reforma vendimtare për t’i kthyer qëndrueshmërinë financiare ndërmarrjeve shtetërore. Përveç kësaj, nevojiten ndryshime graduale të tarifave, të cilat duhet të shoqërohen me masa që mbrojnë shtresat e varfëra dhe në nevojë.

Ndërkohë, për të frenuar trysnitë e brendshme inflacioniste dhe për të kthyer pritshmëritë për inflacionin sërish drejt objektivit, nevojiten rritje të mëtejshme të normës bazë të interesit. “Kërkohet vigjilencë, pasi vonesa e tepruar në shtrëngimin e politikës monetare mund të kërkojë më vonë rritje më të larta të normës bazë për të kthyer inflacionin në objektiv. Strategjia mbi kohën dhe masën e shtrëngimit të politikës monetare duhet të komunikohet qartë në mënyrë që të ruhet besueshmëria e bankës qendrore dhe që të ankorohen pritshmëritë për inflacionin”, thekson ndër të tjera FMN.

Elisabeta Dosku / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat