Europa Postuar më 20 Gusht 2024, 11:32

Marrëveshje për reduktimin e deficitit buxhetor - Qeveria gjermane synon të shpëtojë planin e shpenzimeve

Nga SCAN TV
Marrëveshje për reduktimin e deficitit buxhetor - Qeveria gjermane

Kristi Ceta/SCAN

 

Qeveria e koalicionit në Gjermani arriti një marrëveshje për të ngushtuar objektivin e saj të deficitit buxhetor për vitin 2025 nga 17 miliardë euro në 12 miliardë euro, në një kompromis që synon të shpëtojë planin e shpenzimeve.

Kabineti miratoi buxhetin e tij për vitin 2025 në korrik, por la të hapur mënyrën si do të zvogëlohej hendeku midis shpenzimeve të parashikuara dhe të ardhurave. Qëllimi i qeverisë ishte të reduktonte mungesën në 9 miliardë euro.

Marrëveshja hap rrugën që një projekt-plan buxhetor të dorëzohet në parlament, duke e mbajtur legjislacionin në rrugën e duhur për miratim deri në fund të vitit.

Sipas marrëveshjes, divizionit të infrastrukturës së Deutsche Bahn do t'i jepen 4.5 miliardë euro kapital, i cili do të zëvendësojë subvencionet që ishin përfshirë në versionin e mëparshëm të projektbuxhetit. Gjithashtu, Deutsche Bahn do të marrë një kredi prej 3 miliardë eurosh nga qeveria, e cila mund të përdoret për të shlyer bonot e infrastrukturës të emetuara më parë në treg.

Projektbuxheti për vitin 2025 përfshin gjithsej 15.1 miliardë euro investime për infrastrukturën hekurudhore. Injektimi i kapitalit dhe kredia nuk llogariten në frenimin e borxhit, i cili kufizon huamarrjen publike në 0.35% të prodhimit të brendshëm bruto.

Opsionet nën shqyrtim në korrik përfshinin konvertimin e granteve të operatorit kombëtar hekurudhor Deutsche Bahn dhe kompanisë së autostradave në hua, si dhe përdorimin e fondeve shtesë nga banka shtetërore KfW. Ministria e Financave tha se ato opsione ishin problematike dhe duhen gjetur mundësi të reja.

Qeveria do të marrë gjithashtu 300 milionë euro shtesë nga operatori i energjisë Uniper, pasi kompania do të paguajë 2.9 miliardë euro në vend të 2.6 miliardë.

Masa të tjera përfshijnë një reduktim prej 200 milionë eurosh në dispozitën për humbjen e të ardhurave tatimore nga fondi i krizës energjetike i Bashkimit Evropian.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat