Shqipëria Postuar më 19 Gusht 2024, 12:25

A kanë aftësi teorike shqiptarët në timon? - DPSHTRR: Vetëm 13% e shkelësve rifituan patentën

Nga SCAN TV
A kanë aftësi teorike shqiptarët në timon? - DPSHTRR:

Lidion Kulla/SCAN

 

Në gjysmën e parë të këtij viti, vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të aksidenteve rrugore, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në periudhën janar-qershor të këtij viti, janë regjistruar 767 aksidente në total, nga 528 aksidente në periudhën janar-qershor të vitit 2023, në rritje me 45.3%. Në të njëjtën linjë është rritur edhe numri i të dëmtuarve. Numërohen mbi 1 mijë persona që kanë pësuar dëmtime nga aksidentet rrugore në 6 muajt e parë të këtij viti.

Në rreth 93% të rasteve, aksidentet rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, që nuk respekton rregullat e qarkullimit. Kjo tendencë konfirmohet edhe nga disa të dhëna të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), që vë në pikëpyetje edhe njohuritë e drejtuesve të mjeteve në Shqipëri. Nga 1,394 riregjistrime në autoshkollë për shkak të heqjeve të pikëve të patentës, vetëm 181 persona e kanë rifituar Lejen e Drejtimit gjatë një periudhe 2-vjeçare, qershor 2022-gusht 2024, ose vetëm 13%. Në seancën e fundit të zhvilluar, nga 33 riregjistrime, u paraqitën 15 kandidatë, ku vetëm 8 prej tyre rezultuan fitues.

Të gjithë ata që konsiderohen kontigjent shkelësish të rregullave të qarkullimit, përsëritës në sjellje që rrezikojnë ata vetë dhe të tjerët në rrugë, pas heqjes së pikëve të patentës, me aktet e reja në fuqi prej mbi një viti tashmë, për të rifituar të drejtën e drejtimit të mjetit, duhet të regjistrohen nga e para në autoshkollë dhe t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë.

Heqja e pikëve bëhet automatikisht në sistem, në bazë të njoftimeve për shkelje të normave të sjelljes siç është parashikuar në kapitullin V, të Kodit Rrugor.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat