Shqipëria Postuar më 6 Maj 2025, 12:57

Sa e përballojnë kredinë familjet shqiptare? - BSH: Në shumicën e rasteve, pagesat e kësteve zënë më pak se 30% të të ardhurave

Nga Ledina Elezi

Sa e përballojnë kredinë familjet shqiptare? - BSH: Në

Në gjysmën e dytë të vitit 2024, shlyerja e kësteve të kredisë nuk ka rënduar shumë në xhepat e familjeve shqiptare. Sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë për huamarrjen e familjeve, rreth 84% e këtyre të fundit deklarojnë se pagesa e huasë zë “më pak se 30% të të ardhurave mujore” dhe ky tregues është rritur me 9 pikë përqindje në terma gjashtëmujorë dhe me 1 pikë përqindje në krahasim me 2023. Në të njëjtën kohë, pesha e familjeve për të cilat “pagesa e huasë” tejkalon 30% të të ardhurave ka shënuar rënie.

Për sa i përket aftësisë së familjeve për të shlyer kredinë, rreth 53% e familjeve huamarrëse kanë deklaruar se aftësia e tyre paguese ‘nuk ka ndryshuar’ gjatë periudhës së vrojtuar. Pjesa tjetër e të përgjigjurve, vlerësojnë në agregat përkeqësim të aftësisë së tyre paguese, ku 33% kanë deklaruar ‘përkeqësim’ dhe 15% kanë deklaruar ‘përmirësim’.

Megjithatë, rreth 67% e familjeve nuk presin që aftësia e tyre paguese të ndryshojë në gjysmën e parë të vitit 2025, ndërsa  pjesa e mbetur e familjeve pret përkeqësim.

Lidhur me kërkesën për kredi, rreth 59% e atyre që janë përgjigjur kanë deklaruar se “nuk presin të marrin hua të re në gjysmën e parë të vitit 2025”, ndërsa ka pasur vetëm një rritje modeste të vlerës së indeksit të planifikimit të huamarrjes, e cila sugjeron për një qëndrueshmëri të kërkesës së individëve për kredi në gjysmën e parë vitit 2025.

Qëllimi kryesor i huamarrjes së familjeve mbetet ‘për konsum’ në 42% të rasteve të huamarrjes, ‘për blerje/riparim prone’ në 23% të rasteve dhe për ‘zhvillim biznesi’ në 12% të rasteve. Pesha e rasteve të huamarrjes për blerje/riparim prone dhe për konsum kanë shënuar rritje, ndërsa pesha e rasteve të huamarrjes për zhvillim biznesi ka rezultuar në rënie (me 6 pp) krahasuar gjashtëmujorin e kaluar.

Në rreth 49% të rasteve të raportuara, huamarrja e familjeve rezulton në formën e kredisë nga institucione financiare, ku 44% e rasteve janë në trajtë ‘kredie bankare’, dhe 6% janë në trajtë kartash krediti dhe overdraft. Në rreth 34% të rasteve, huamarrja deklarohet në formën e parasë në dorë dhe në 16% të rasteve në formë malli të papaguar. Të dyja këto pesha kanë shënuar rënie si në terma gjashtëmujorë dhe në terma vjetorë.

 

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat