Bota Postuar më 6 Maj 2025, 12:49

Filmat evropianë, të rrezikuar nga tarifat - Industria mund të “sakrifikohet” për të arritur marrëveshje me Trump 

Nga Kristi Ceta

Filmat evropianë, të rrezikuar nga tarifat - Industria mund të

Industria e filmit në Evropë është e shqetësuar se legjislacioni i fituar me vështirësi që përcakton kuotat e përmbajtjes evropiane për platformat e transmetimit mund të vihet në rrezik, pas kërcënimit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të vendosur tarifa mbi filmat e prodhuar jashtë Shteteve të Bashkuara.

Sektori i filmit do të ketë probleme nëse bëhet pjesë e e negociatave në përleshjen e vazhdueshme tregtare midis Brukselit dhe Uashingtonit, tha një përfaqësues kyç i industrisë së filmit në BE.

"Ne nuk duam të jemi pjesë e negociatave të përgjithshme mbi tarifat midis evropianëve dhe amerikanëve. Gjithmonë ekziston rreziku që kultura të zërë vendin e dytë pas legjislacionit të BE-së mbi tregjet digjitale,” theksoi ai. Sipas burimeve, ekziston frika se ekzekutivi i bllokut mund të sakrifikojë sektorin e kinemasë për të gjetur një marrëveshje me SHBA-në në lidhje me tarifat.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se ka autorizuar Departamentin e Tregtisë dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së të vendosin një tarifë 100% "për çdo film që vjen në Shtetet e Bashkuara dhe që prodhohet në vende të huaja".

"Industria e Filmit në Amerikë po vdes shumë shpejt", shkroi ai, duke u ankuar se vendet e tjera "po ofrojnë të gjitha llojet e stimujve për të tërhequr" regjisorët dhe studiot larg SHBA-së. "Ky është një përpjekje e përbashkët nga kombet e tjera dhe, për këtë arsye, një kërcënim për Sigurinë Kombëtare.”

Nuk ështe ende e qartë se si mund të zbatohet një tarifë e tillë për prodhimet ndërkombëtare. Është e zakonshme që filmat e mëdhenj dhe të vegjël të përfshijnë prodhim si në SHBA, ashtu edhe në shtete të tjera.

“Nëse evropianët nuk mund të bëjnë më filma jashtë SHBA-së, kjo bëhet absurde”, nënvizojnë ekspertët e sektorit, duke shtuar se “gjithsesi, ka shumë pak filma evropianë në qarkullim në SHBA, kështu që ndikimi tek evropianët nuk do të jetë i madh”.

Shfaqjet e filmave evropianë në SHBA kanë rënë vitet e fundit, duke u tkurrur nga rreth 33 milionë shitje biletash në vitin 2017, në 4.8 milionë në vitin 2023, sipas një raporti të Observatorit Evropian Audiovizual.

Shoqata e Filmit (MPA), që përfaqëson industritë amerikane, i shkroi administratës amerikane, në lidhje me legjislacionin e BE-së që rezervon kuota 30% të katalogut të tyre për vepra evropiane. Ata gjithashtu kundërshtuan detyrimet për të investuar në vepra evropiane të prodhuara nga shtetet e bllokut.

Legjislacioni audiovizual i BE-së u theksua gjithashtu si një pengesë për tregtinë me Unionin nga një raport i përfaqësuesit të tregtisë në SHBA.

Bashkimi Evropian, që tashmë po përballet me tarifa prej 25% për aluminin dhe çelikun e saj, 25% për makinat dhe 10% për të gjitha importet e tij, po negocion me administratën amerikane për një marrëveshje tregtare. Por përmbajtja e negociatave mbetet e pasigurt dhe kuotat e prodhimit audiovizual nuk do të jenë pjesë e diskutimit, tha një zyrtar i BE-së.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat