Shqipëria Postuar më 6 Maj 2025, 11:13

Hapet thirrja për terminale POS falas - Mastercard do të shpërndajë 4750 të tillë për 1 vit. Cilat biznese përfitojnë?

Nga Ledina Elezi

Hapet thirrja për terminale POS falas - Mastercard do të

Janë hapur aplikimet për të përfituar 1 nga 4750 terminalet POS falas të programit POSI të Mastercard. Vetëm bizneset e vogla dhe të mesme që operojnë në sektorin e ushqimoreve, hoteleve, taksive, bareve dhe restoranteve, kanë të drejtën që të marrin një terminal POS falas, ku deri një vit do të kenë zero komision për transaksionet që kryejnë qytetarët me kartë në POS.

Megjithatë, vetëm dyqanet ushqimore që kryejnë transaksione deri në 19 000 euro në vit me terminale POS, do të kenë zero komision për transaksionet me kartë. Gjithashtu, vetëm hotelet që kryejnë deri në 24 000 euro transaksione me kartë në terminalet POS për 1 vit, vetëm restorantet dhe kafenetë deri në 15 000 euro transaksione me kartë në terminalet POS dhe  vetëm taksitë që kryejnë transaksione deri në 2 000 euro në vit me terminale POS, do të kenë zero komision për transaksionet me kartë të klientëve të tyre në terminalet POS. Nëse kalohet ky prag, atëherë do të paguhet komision.

Vetëm bizneset që nuk kanë pasur më parë një terminal POS, si dhe kanë një dyqan fizik, mund të aplikojnë për të marrë një të tillë falas. Ato mund të paraqiten pranë degëve fizike të bankave për të bërë aplikimin dhe firmosur kontratën.

Programi ka nisur që me 1 maj dhe do të përfundojë ose pas shpërndarjes së 4750 terminaleve të reja POS, ose më 30 prill 2026, cilado ndodh më parë.

Çdo biznes mund të marrë maksimumi 1 terminal POS pa asnjë kosto, ndërsa terminalet POS të instaluara duhet të mbeten aktive dhe të kryejnë një minimum prej katër transaksionesh Mastercard në çdo tremujor. Pas përfundimit të periudhës 12-mujore, tregtarët mund të kthejnë terminalin POS pa asnjë kosto ose penalizim, ose të kalojnë në termat e paracaktuara të kontratës me institucionin financiar pjesëmarrës para fillimit të periudhës 12-mujore. Pra, nëse bizneset zgjedhin ta mbajnë këtë terminal POS, pas 1 viti nga instalimi, nuk do të kenë më komisione zero, por do të zbatohen tarifat që banka ka parashikuar në kontratën e rregullt për POS.

Programi Kombëtar i Përshpejtimit të Pagesave Digjitale i Mastercard (POSI), në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, synon të mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme në kalimin drejt pagesave digjitale. Programi mbështet tregtarët në vendosjen e pajisjeve të pranimit dhe zgjerimin e rrjetit të bizneseve që pranojnë pagesa me kartë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat