Shqipëria Postuar më 26 Qershor 2025, 18:07

Rënia e euros/ BSH tërheq rreth 33.20 mln nga tregu - Për herë të parë është organizuar një ankand i blerjes së valutës me afat tremujor

Nga Ledina Elezi

Rënia e euros/ BSH tërheq rreth 33.20 mln nga tregu - Për

Me qëllim rritjen e rezervës valutore, Banka e Shqipërisë ka blerë 33.20 milionë euro gjatë 3 muajve të parë të 2025.

Banka Qendrore mban një rezervë valutore për të përmbushur nevojat e qeverisë për valutë për shlyerjen e borxhit të jashtëm, për të mbështetur tregtinë ndërkombëtare, duke përmbushur kërkesën për valutë që buron nga importuesit, si dhe mundësuar ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në treg, me qëllim parandalimin dhe zbutjen e lëvizjeve të forta të kursit të këmbimit.

Sikurse ishte lajmëruar në fund të vitit 2024, Banka Qendrore ka zhvilluar tre ankande për blerjen e valutës, ku në përputhje me objektivin e zhvillimit të tregut, njëri prej tyre kanë qenë me opsionin FORËARD, pra përmes një marrëveshjeje paraprake për blerjen e euros në një datë të ardhshme dhe me një kurs këmbimi të përcaktuar që në momentin e arritjes së kësaj marrëveshjeje.

Për herë të parë, Banka e Shqipërisë ka organizuar një ankand të blerjes së valutës me afat tremujor, kundrejt afatit njëmujor të përdorur në vitet e fundit.

Në tre ankandet e zhvilluara gjatë periudhës, janë blerë 33.20 mln euro me një mesatare 11.07 mln, kundrejt mesatares prej 14.20 mln euro gjatë vitit 2024. Shuma e blerë ka qenë pak më e lartë me shumën e blerë në tre ankande në të njëjtën kohë një vit më parë prej 32.60 mln euro, duke treguar se pjesëmarrja relativisht më e ulët e bankave lidhet me faktorë sezonalë.

Banka e Shqipërisë synon që gjatë këtij viti të blejë nga bankat tregtare 270-350 mln euro, rreth 20 milionë euro më shumë se në 2024. Sipas kalendarit të ndërhyrjeve, numri më i madh i ankandeve është planifikuar në tremujorin e dytë dhe të tretë, atëherë ku flukset e euros janë më të larta, si rezultat i të ardhurave nga turistët.

Kjo prani e madhe e euros në treg ka sjellë shumë luhatje në kursin e këmbimit, me euron që është zhvlerësuar dhe një forcim të madh të lekut. 1 euro ka vijuar të këmbehet me më pak se 100 lekë, ndërsa vetëm në 30 janar do të kishte një barazim të dy monedhave. Tërheqjet e euros nga Banka e Shqipërisë rrisin ofertën e lekut në treg.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat