Bota Postuar më 26 Qershor 2025, 14:06

Energjia, rekord emetimesh globale të CO2 - Raporti: Ndotja në këtë sektor u rrit për të katërtin vit radhazi

Nga Kristi Ceta

Energjia, rekord emetimesh globale të CO2 - Raporti: Ndotja në

Emetimet globale të dioksidit të karbonit nga sektori i energjisë arritën një nivel rekord për të katërtin vit radhazi vitin e kaluar. Përdorimi i lëndëve djegëse fosile vazhdoi të rritej edhe pse energjia e rinovueshme arriti një nivel rekord, sipas Institutit të Energjisë.

Shifrat e raportit nxjerrin në pah vështirësitë që ka ekonomia botërore për t’u shkëputur nga lëndët djegëse fosile, në një kohë kur konfliktet në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme shtojnë shqetësimet për sigurinë e furnizimeve.

Viti i kaluar ishte viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, me temperatura globale që tejkaluan 1.5 C mbi epokën paraindustriale për herë të parë.

Bota shënoi një rritje vjetore prej 2% në furnizimin total me energji në 2024, me të gjitha burimet e energjisë si nafta, gazi, qymyri, energjia bërthamore, hidroelektrike dhe e rinovueshme që regjistruan rritje. Hera e fundit që diçka e tillë kishte ndodhur ishte në vitin 2006, thuhet në raport.

Kjo çoi në rritjen e emetimeve të karbonit me rreth 1% në 2024 dhe tejkalimin e nivelit rekord të vendosur një vit më parë prej 40.8 gigatonë ekuivalent të dioksidit të karbonit.

Nga të gjitha lëndët djegëse fosile globale, gazi natyror shënoi rritjen më të madhe në prodhim, duke u zgjeruar me 2.5%. Ndërkohë, qymyri u rrit me 1.2, duke mbetur burimi më i madh i gjenerimit globalisht, kurse rritja e naftës ishte nën 1%.

Energjia e erës dhe diellore u zgjerua me 16% në vitin 2024, nëntë herë më shpejt se kërkesa totale për energji, tregoi raporti.

Analistët që ndjekin progresin kanë thënë se bota nuk është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin global për trefishimin e kapacitetit të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030, pavarësisht shtimit të sasive rekord.

"COP28 përcaktoi një vizion të guximshëm për të trefishuar burimet e rinovueshme globale deri në vitin 2030, por progresi po rezulton i pabarabartë dhe pavarësisht rritjes së shpejtë që kemi parë globalisht, ne ende nuk jemi në ritmin e kërkuar", shpjeguan ata.

COP28 ishte Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike që u zhvillua në Dubai në vitin 2023. Aty, vendet nënshkruan një pakt për t'u larguar nga lëndët djegëse fosile në sistemet e energjisë, me objektiv emetimet neto zero deri në vitin 2050.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat