Shqipëria Postuar më 26 Qershor 2025, 17:42

AAPSK thellon kontrollin dhe transparencën në administrimin shtetëror të pronave të konfiskuara

Nga SCAN TV

AAPSK thellon kontrollin dhe transparencën në administrimin

Administrimi shtetëror i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga drejtësia ka njohur një rritje të ndjeshme të të ardhurave në muajt e fundit. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), si institucion përgjegjës për menaxhimin e këtyre pasurive, ka intensifikuar përpjekjet për të garantuar transparencë, ligjshmëri dhe efikasitet në funksionimin e subjekteve të vendosura nën administrim shtetëror.

AAPSK po zhvillon paralelisht me inventarizimin e të gjitha pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, të cilat tashmë janë të gjitha të publikuara në faqen zyrtare të institucionit, edhe një procesi verifikimi dhe auditimi të të gjitha shoqërive të sekuestruara ose konfiskuara nën administrim shtetëror.

Një nga këto raste është shoqëria “Ora” sh.a., e cila është konfiskuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme dhe prej vitit 2023 ndodhet nën administrimin e AAPSK. Gjatë kësaj periudhe, Agjencia ka zhvilluar një auditim të thelluar të veprimtarisë së mëparshme të shoqërisë, duke konstatuar shkelje të rëndësishme në administrimin financiar e ligjor nga administratorët e mëparshëm të shoqërisë.

Në përputhje me legjislacionin në fuqi, AAPSK ka referuar rastet pranë SPAK dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm për ndjekjen e mëtejshme të personave përgjegjës. Këto veprime përfaqësojnë një qasje të qartë ndaj ndëshkimit të abuzimit me pasuritë publike dhe vendosjen e standardeve të larta në menaxhimin shtetëror.

Ndërkohë, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me vendimet e organeve gjyqësore, Agjencia do të adresojë sipas rastit të gjitha detyrimeve e prapambetura ndaj punonjësve të “Ora” sh.a., përfshirë edhe pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Rritja e të ardhurave nga subjektet nën administrim është tregues i qartë i përmirësimit të performancës dhe eficiencës së strukturave të AAPSK. Kjo konfirmon se pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara mund të kthehen në burime reale vlere për buxhetin e shtetit dhe shoqërinë, kur menaxhohen me përkushtim dhe integritet.

AAPSK mbetet e angazhuar të vijojë misionin e saj në zbatim të ligjit nr. 34/2019, të ndryshuar, duke garantuar që çdo pasuri nën administrim shtetëror të shfrytëzohet në funksion të interesit publik dhe parimeve të llogaridhënies.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat