Shqipëria Postuar më 26 Qershor 2025, 14:06

Sa u ndikuan kreditë nga kursi i këmbimit? - BSH: Forcimi i lekut solli rënien e huave të pambrojtura në 23.5% gjatë 2024

Nga Ledina Elezi

Sa u ndikuan kreditë nga kursi i këmbimit? - BSH: Forcimi i lekut

Gjatë vitit 2024, bankat kanë dhënë më shumë kredi ndaj sektorit privat sesa ndaj individëve. Shifrat tregojnë se 60% e kredisë është marrë nga bizneset dhe vetëm 40% nga qytetarët.

Por për çfarë është përdorur kjo kredi?

Shumica e huasë është marrë për të blerë një shtëpi. Sipas Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë, gati 27% e kredisë së dhënë nga bankat është përdorur për të blerë një banesë nga qytetarët, 24% rezulton të jetë marrë nga bizneset për pasuri të paluajtshme, ndjekur nga overdrafti me 13% dhe huaja për blerje pajisjesh me rreth 12%.

Huaja për investime në instrumenta financiare është tkurrur edhe më tepër në vitin që lamë pas, duke mos zënë thuajse fare peshë në të gjithë huanë e dhënë gjatë 2024. Ndërkohë, 10% e kredisë është marrë nga bizneset për kapital qarkullues, përafërsisht 7% është përdorur nga qytetarët për të blerë mallra jo të qëndrueshëm siç janë produktet ushqimore dhe pothuajse 4% për blerjen e mallrave të qëndrueshëm si elektroshtëpiake, pajisje elektronike, makinë, mobilje e të tjera.

Rritjen më të lartë gjatë vitit 2024 e ka pasur kredia dhënë individëve për mallra të qëndrueshëm.

Në cilën periudhë të 2024 kanë dhënë bankat tregtare më shumë kredi?

Në muajt mars dhe gusht 2024 është evidentuar rritja më e madhe e portofolit të kredisë me përkatësisht 14.2 mld lekë dhe 14.3 mld lekë.

Sektorët më të kredituar të ekonomisë vazhdojnë të mbeten tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave me një peshë prej 30% të portofolit, pasuar nga sektori i ndërtimit me një peshë prej 16.6% dhe sektori i industrisë përpunuese me 12.2%.

Për vitin 2024, rreth 55% e kredisë rezulton të jetë në lekë, duke u rritur edhe në krahasim me 2023. Ndërkohë, pesha e kredisë në valutë, e klasifikuar si e pambrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit (pra kur kredia është marrë në euro, por të ardhurat kanë qenë në lekë), ka shfaqur një rënie me 2.05 pikë përqindje ndaj totalit të portofolit në valutë, duke arritur në nivelin 23.5%, për shkak se leku ka qenë më i fortë kundrejt euros gjatë vitit të kaluar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat