Shqipëria Postuar më 3 Korrik 2025, 10:47

Ratifikohet marrëveshja me BE për transformimin digjital - 44 milionë euro për digjitalizimin e shëndetësisë dhe arsimit

Nga Ernilda Luzi

Ratifikohet marrëveshja me BE për transformimin digjital - 44

Është ratifikuar marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për programin operacional shumëvjeçar për periudhën 2024-2027, për ekonominë dhe shoqërinë digjitale në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit IPA III.

Sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, ky program financohet nga buxheti i Unionit. Kostoja totale e përllogaritur e këtij programi është 44 milionë euro  dhe kontributi maksimal i Unionit për këtë program është  vendosur në shumën 30 milionë euro, po kështu 14 milionë euro ofrohen si bashkëfinancim i qeverisë shqiptare.

Transformimi digjital është vendosur në krye të agjendës politike të qeverisë shqiptare. Sipas programit, fusha e mbështetjes do të fokusohet në disa fusha prioritare, siç janë shëndetësia digjitale dhe edukimi digjital.

Programi do të mbështesë digjitalizimin e të dhënave shëndetësore dhe krijimin e sistemeve, që mundësojnë aksesin e tyre të sigurt nga qytetarët, duke  përfshirë  ata  vulnerabël. Nëpërmjet aksesit online për informacionin e të dhënave të pacientit, do të shmangen testet ose trajtimet e panevojshme dhe do të përshpejtohet ofrimi i trajtimit ose procedurave të shpejta apo urgjente. Programi do të ketë një efekt pozitiv në sigurimin e aksesit më të mirë dhe më të drejtë në kujdes shëndetësor dhe arsim cilësor.

Nga ana tjetër, ndërhyrja në fushën e edukimit digjital do të ndihmojë në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021–2026, duke mbështetur përmirësimin e zhvillimit profesional, reformën e kurrikulave të orientuara drejt  TIK-ut, si dhe trajnimin e mësuesve mbi aftësitë  digjitale.

Ndërkohë, programi operacional synon të avancojë përpjekjet e vendit, për të vijuar më tej procesin e digjitalizimit e paralelisht do të mbështesë reformat sektoriale dhe përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis të BE-së. Programi do të ndihmojë në avancimin e përfshirjes sociale  të komuniteteve me të ardhura të ulëta, rurale dhe të margjinalizuara dhe të pakicave rome.

Po këshru, mungesa e lidhjes me shpejtësi të lartë në zonat rurale dhe të thella në Shqipëri shihet si problem për përdorimin  efektiv  të  TIK-ut.  Në  këtë  drejtim, Korniza e Investimeve në Ballkanin  Perëndimor ka  financuar  një  studim  fizibiliteti, për vendosjen e  infrastrukturës fikse broadband me shpejtësi të lartë. Ky  studim pritet të hapë rrugën që zyrat  rajonale të të gjitha institucioneve,  përfshirë qendrat  shëndetësore  dhe  arsimore të  kenë  akses  në  internet  me  shpejtësi  të lartë nëpërmjet dark fiber.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat