Europa Postuar më 3 Korrik 2025, 10:23

BE, buxheti i ardhshëm “përçan” anëtarët - 14 shtete kundërshtojnë centralizimin e fondeve

Nga Kristi Ceta

BE, buxheti i ardhshëm “përçan” anëtarët

Katërmbëdhjetë vende anëtare të BE-së kundërshtojnë planet e Komisionit Evropian për buxhetin e ardhshëm. Sipas tyre, reforma centralizon menaxhimin dhe shpërndarjen e fondeve të bllokut.

Teksa Bashkimi Evropian pritet të propozojë buxhetin e ardhshëm pas vitit 2027, peizazhi politik mbetet i trazuar. Katërmbëdhjetë shtete anëtare kanë kundërshtuar planet e Komisionit Evropian për të centralizuar menaxhimin dhe shpërndarjen e fondeve të bllokut.

"Vetëm një buxhet i qartë dhe i fuqishëm, si dhe një metodologji shpërndarjeje e bazuar në rajone, që pasqyron nivelet e ndryshme të zhvillimit të tyre, së bashku me një legjislacion të veçantë të dedikuar për Politikën e Kohezionit, mund të sigurojnë që Korniza Financiare Shumëvjeçare e ardhshme të ofrojë unitet, konkurrueshmëri dhe konvergjencë afatgjatë në të gjitha rajonet e BE-së", thuhet në dokument.

14 vendet, ndër të cilat Greqia, Spanja, Hungaria, Italia e Portugalia nënshkruan dokumentin, duke synuar një fond të veçantë për ngushtimin e hendekut socio-ekonomik midis rajoneve më të pasura dhe më të varfra evropiane.

Thirrja nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare vjen pas një rrjedhjeje informacioni në lidhje me planet e Komisionit për të krijuar një fond të vetëm financimi për secilin vend të BE-së (që mbulon rreth 530 programe) dhe për të lidhur marrjen e fondeve me përmbushjen e objektivave.

Centralizimi i mundshëm i menaxhimit dhe aksesit në paratë e BE-së do t'u jepte më shumë pushtet qeverive kombëtare dhe Brukselit, ndërsa do të rezultonte i dëmshëm për rajonet dhe departamentet e tjera brenda Komisionit Evropian.

Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen pritet të paraqesë propozimin e buxhetit për periudhën financiare afatgjatë 2028–2034 më 16 korrik, por kritikat nga rajonet, shtetet anëtare dhe eurodeputetët vazhdojnë të shtohen. Shumë politikanë i bëjnë thirrje gjithashtu kreut të Komisionit të propozojë një buxhet afatgjatë më të madh dhe më ambicioz, që tejkalon 1% të PBB-së aktuale të BE-së, apo 1.2 trilionë euro.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat