Shqipëria Postuar më 19 Prill 2025, 15:49

Rama dhe Balluku vizitojnë rrugët e reja të juglindjes

Nga Fabjona Pasho

Rama dhe Balluku vizitojnë rrugët e reja të juglindjes

Është përfunduar puna në aksin rrugor Maliq–Lozhan–Strelcë, një investim strategjik që lidh qytetin e Maliqit me Gramshin dhe zonat përreth, duke krijuar një korridor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe turistik të kësaj zone. Ky segment i ri prej 18.8 kilometrash konsiderohet tashmë një hallkë kyçe për lidhjen e fshatrave të zonës së Korçës me qendrat urbane.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, sëbashku me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryebashkiakun e Maliqit Gëzim Topçiu, panë nga afër përfundimin e punimeve të këtij segmenti.

 “Kjo është një rrugë që lidh një zonë të paaksesueshme deri dje, duke i dhënë mundësi agrobizneseve të dalin në sipërfaqe dhe të kenë akses më të madh në treg. Është e pajisur me bankina, ndriçim dhe trotuare në hyrje të Maliqit dhe lidhet me digën e Moglicës, duke krijuar lidhje të reja me qarkun e Elbasanit.” – tha Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ky aks konsiderohet pjesë e një strategjie më të gjerë të lidhjes infrastrukturore ndërmjet qarqeve, e cila përfshin projekte si rruga e Vjosës që do të lidhë Korçën me jugun e vendit përmes Ersekës, Këlcyrës dhe Tepelenës, si dhe unazën Gramsh–Skrapar–Çorovodë.

 “Mbase është rasti për të përmendur lidhjet e tjera që po krijojnë një sistem të plotë rrugor, që bashkon Korçën me Kolonjën dhe Përmetin, duke forcuar integrimin rajonal.” – u shpreh Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste.

Ndërkohë, në planifikim është edhe ndërtimi i një aksi të ri përgjatë liqenit të Moglicës, që do të shkurtojë ndjeshëm distancat dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekologjik dhe turistik të zonës.

Zona përreth liqenit të Moglicës pritet të shndërrohet në një pol të ri zhvillimi ekologjik, turistik dhe kulturor, falë investimeve në infrastrukturë e energji.

Më tej, Rama dhe Balluku janë ndalur në Ersekë, në rrugën e re të Vjosës, që do të lidhë bregdetin me juglindjen.

Në fjalën e tij Rama tha se, ky është një tjetër projekt i rëndësishëm zhvillimi që e vendos Vjosën aty ku e meriton.

"Kur kjo rrugë pësoi një shembje diku dhe m’u kujtuan sesi gjithë speciet e kënetës m’u turrën “ra rruga, iku rruga, s’ka më rrugë”, ndërkohë që ai ishte një aksident nga ato që edhe ndodhin brenda garancisë ku rruga ende nuk ishte dorëzuar dhe të gjitha shpenzimet kokërr më kokërr i mbuloi vetë kompania. Tanimë u bë një kohë jo e shkurtër që jemi në këtë rrugëtim të përbashkët dhe besoj se është në sytë e të gjithë shqiptarëve që edhe punët dhe detyrat janë të ndara, por edhe kjo histori është e ndarë. Ne kemi barrën që të ëndërrojmë, të projektojmë, të përpiqemi të ndërtojmë, pastaj të ndërtojmë dhe disa të tjerë janë aty vetëm për të na penguar, për të na sulmuar për të na hedhur baltë, në një përpjekje që nuk kursen as Shqipërinë. Edhe Shqipërinë kjo përpjekje e ulët nuk e kursen”, u shpreh Rama.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat