Shqipëria Postuar më 19 Prill 2025, 19:47

Erseka bëhet një pol i ri i energjisë së pastër me “Erseka Solar Park” - Balluku: Përfitim konkret për vendin

Nga SCAN TV

Erseka bëhet një pol i ri i energjisë së pastër me

Erseka ka tashmë një nga investimet më të mëdha në energjinë diellore në Shqipëri. Parku fotovoltaik “Erseka Solar Park” i shtrirë në një sipërfaqe prej 120 hektarësh, përdor teknologjinë më të fundit në prodhimin dhe monitorimin e energjisë, duke kontribuar ndjeshëm në diversifikimin e burimeve energjetike të vendit.

Ky investim është pjesë e një strategjie kombëtare për të arritur pavarësinë energjetike deri në vitin 2028, duke iu bashkuar poleve të tjerë energjetikë në zhvillim si ai i Fierit, Karavastasë dhe Delvinës.

Gjatë vizitës në këtë park, sëbashku me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cilësoi këtë investim si një nga iniciativat më të rëndësishme dhe më të guximshme në sektorin e energjisë.

“Kemi një nga parqet më të mëdha fotovoltaike në vend, me teknologji të avancuar jo vetëm në prodhim, por edhe në sistemet e monitorimit. Ky është një pol i ri energjetik, që e shtrin rrezatimin diellor të juglindjes në një përfitim konkret për vendin”, theksoi ministrja Balluku.

Parku aktualisht prodhon energji me kapacitet deri në 100 megavat dhe është i pajisur me tre sisteme të monitorimit SCADA, përfshirë teknologjinë nga Siemens, që ndjek automatikisht pozicionin e diellit për të maksimizuar prodhimin. Inxhinierët raportuan se vetëm në një ditë me kushte optimale, parku arrin të prodhojë 20 megavat.

Projekti ka gjeneruar një numër të konsiderueshëm vendesh pune, me paga që fillojnë nga 1,000 euro. Gjithashtu përmirësimi i infrastrukturës rrugore ka qenë vendimtar për realizimin e punimeve në kohë rekord.

Përveç rëndësisë energjetike, ky investim dërgon edhe një sinjal pozitiv për klimën e biznesit dhe bashkëpunimin ndërmjet sektorit publik dhe privat. “Fillimisht kishte skepticizëm, por bashkëpunimi me institucionet tona tregoi se reformat kanë krijuar një mjedis të favorshëm për investime strategjike”, theksoi ministrja Balluku.

Parku fotovoltaik i Ersekës është një dëshmi konkrete se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe të gjelbër, duke e kthyer potencialin natyror të diellit në një burim të sigurt të energjisë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat