Shqipëria Postuar më 19 Prill 2025, 12:05

Rama në Maliq: Kemi transformuar qytetin! Më 11 maj, votoni integrimin e Shqipërisë në BE

Nga SCAN TV

Rama në Maliq: Kemi transformuar qytetin! Më 11 maj, votoni integrimin

Kryesocialisti Edi Rama është ndalur këtë të shtunë në qarkun e Korçës, ku ka zhvilluar një takim elektoral në qytetin e Maliqit. 

Përpara mbështetësve, Rama është shprehur se qyteti ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm.

“Siç e tha dhe Niko e kemi bërë si zakon që takimin e parë në çdo vrap drejt finishit ta bëjmë këtu në Maliq për të marrë energjinë e madhe pozitive që ka në këtë stacion dhe në këtë bastion të palëkundur të PSSH.

Nga ana tjetër, unë besoj që në këto vite jemi përpekur që investimin tuaj, besimin tuaj, mbështetjen tuaj ta kthejmë në punë për ju, ta kthejmë në vepra të reja për ju, ta kthejmë në rrugë të reja për zhvillim, për punësim, për mirëqenie dhe nuk ka asnjë diskutim që falë edhe krye bashkiakut tuaj legjendar Gëzimit, ku keni gjetur një mbështetje shumë të fortë për të çuar deri në fund çdo punë, sot kjo bashki nuk ngjan asgjë me bashkinë që ishte kur ne morëm detyrën.

Por sot unë nuk kam ardhur këtu për të folur për bashkinë.

Ne pamë një vepër shumë të bukur që po përfundon pak nga pak, Pallatin e rilindur të Kulturës që aq shumë donte ta realizonte Kryetari i bashkisë dhe që aq shumë e meriton ky komunitet. Patjetër duhet të shikojmë dhe punë të tjera, por sot unë kam ardhur këtu për të folur për një punë shumë të madhe, shumë të veçantë, për një nga ato punë që një individi apo një populli i bie rrallë herë në histori që t’i kryejë dhe kjo është sot puna e madhe e 11 majit, kur përtej kufijve partiakë, përtej tifozllëkut, fanellave dhe ngjyrave të partive, përtej të gjitha atyre gjërave shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me jetën e përditshme dhe me punë të përditshme në çdo komunitet, na duhet të bashkohemi të gjithë si shqiptarë dhe duke u bashkuar t’i japim një mbështetje shumë të fuqishme negociatave për anëtarësim në BE.

Dhe t’i japim një mesazh shumë të qartë dhe të fortë të gjithë vendeve të Europës, duke vjelë nga kutitë e votimit, një shumicë jo thjeshtë aritmetike, por një shumicë popullore, e cila i thotë Europës “ne duam më në fund dhe duam tani të ulemi në sofrën e përbashkët të BE”. 

Dhe më besoni motra dhe vëllezër që kush thotë që Europa është aty dhe të gjitha rastet ne do bëhemi pjesë e saj sepse kjo nuk ka lidhje me kush fiton e kush nuk fiton këtu dhe të tjera thjeshtë dhe vetëm ose nuk kupton fare se çfarë thotë ose qëllimisht ju thotë diçka që nuk është e vërtetë. 

E vërteta është që sot, për arsye që nuk kanë të bëjnë vetëm me ne, por që kanë të bëjnë dhe me Europën, për herë të parë, që kur ne kemi dalë nga ferri i komunizmit janë përputhur dëshirat dhe është përputhur vullneti. Në një moment, jo vetëm ne duam të hyjmë në BE, por dhe BE do që të na marrë brenda. Natyrisht që ne kemi bërë të gjithë punë n tonë për të qenë gati për këtë moment duke ditur shumë mirë që historia e BE, historia e anëtarësimeve të reja është një histori që nuk lidhet thjeshtë me sa ka bërë një vend që do të anëtarësohet, por sa e gatshme është Europa, sa i gatshëm është BE që të hapë derën. 

Dhe për këtë arsye kur na refuzonin dhe pse KE thoshte që Shqipëria duhet ti hapë negociatat, dilte një vend këtu dilte një vend atje “jo po se kështu, jo po se ashtu”, për interesat e tyre, jo se kishin kundër nesh, por nuk donin të hapnin derën.

Ne vazhdonim punën dhe unë përsërisja që ne duhet të sillemi njësoj sikur i kemi hapur negociatat dhe në momentin kur dera duhet të hapet, ne duhet të jemi gati.

Ama, hapja e derës sot, ka ardhur si rezultat i faktit që ne jemi gati, por dhe ata për arsye që janë edhe jashtë nesh, për arsye të gjithë turbullirave të kohës, për arsye të luftës që është në kufi të Europës, për arsye të nevojës për ta forcuar Europën, duan të japin një mesazh për gjithë botën, që Europa po zhvillohet, po rritet në numër, po unifikohet, po forcohet dhe prandaj ylli i fatit tonë europian dhe ylli i fatit të Europës janë rreshtuar bashkë. 

Ama në këtë moment, ne duhet të bëjmë pjesën tonë.

Sepse ata vërtet e kanë hapur derën, por që ne të kapërcejmë pragun dhe të hyjmë në sallonin kryesor duhet të bëjmë detyrat tona, duhet të mbyllim negociatat dhe kaq shumë ata duan që kjo gjë të ndodhë, sa na kanë dhënë një plan në tavolinë për t’i mbyllur negociatat në vetëm 3 vjet nga 2024 që kaloi deri në 2027, pra dhe dy vjet kohë ka. Por ama, kini parasysh që negociatat zhvillohen mes dy palësh. Janë rreth 1000 vetë nga ana jonë, janë rreth 1000 vetë nga ana e tyre, që merren me negociatat për të kuptuar se çfarë volumi pune është.

Sepse duhet negociuar dhe duhet bërë marrëveshja që ne jemi gati të hyjmë dhe Europa të thotë që këta janë gati të na bashkohen, duke pasur dakordësi për të gjitha pikat, që nga mjedisi, tek bujqësia, që nga bujqësia tek peshkimi, nga peshkimi tek zogjtë, nga zogjtë tek ujërat, nga ujërat tek përpunimi i mbetjeve, nga përpunimi i mbetjeve tek ekonomia në tërësi, tek të gjithë komponentët e shtetit dhe natyrisht patjetër tek shteti i së drejtës, tek institucionet e pavarura, tek drejtësia e pavarur dhe kështu me radhë. 

Kjo është një punë shumë voluminoze për të cilën, nuk e ekzagjeroj fare, edhe sot që është një ditë pushimi një pjesë e grupit negociator të palës sonë, është në punë sepse volumi është i jashtëzakonshëm. Kini parasysh që negociohet për 250 mijë fletë të shkuara, që të gjitha ato janë tema, janë çështje, janë pika me të cilat ne duhet të merremi përditë pa orar. 

Tani, imagjinoni që në 11 maj nuk del një shumicë bindëse. Imagjinoni që procesi fillon dhe ngadalësohet. Cili është përfundimi? Thjeshtë nuk e arrimë dot 2027-ën. Nëse ne humbasim jo një vit, jo një muaj, nëse ne humbasim një javë 2027 vihet në rrezik. Nëse 2027 vihet në rrezik, atëherë dera mund të mbyllet. Dera mund të mbyllet sepse, ajo derë e Bashkimit Europian nuk është gjithmonë hapur. Hapet, futen disa vende, mbyllet. Mbyllet dhe mund të mbyllet për një kohë të gjatë. 

Maqedonia këtu afër është. Është bërë kandidate për të hyrë në Bashkimin Europian në 2005-ën. Këtu ka vajza dhe djem që nuk kishin lindur në 2005-ën. Sot Maqedonia e Veriut që ka ndërruar dhe emër për t’u futur në Bashkimin Europian akoma nuk i ka hapur negociatat.

Mali i Zi i ka hapur negociatat në 2012-ën, por dera nuk ka qenë e hapur. Ne ishim shumë mbrapa, Mali i Zi ishte, yy. Sot ne jemi në një linjë te pragu me Malin e Zi. 

Serbia i ka hapur negociatat në 2014-ën, ishte yy, para nesh sot është prapa nesh.

Dhe ne i kemi negociatat i kemi hapur vetëm vjet. Prandaj zgjedhja e 11 majit, nuk është zgjedhje midis PS dhe kënetës, dhe kjo në vetvete është një çmenduri që mund të mendosh të shkosh me kënetën sepse s’ka asnjë dyshim për askënd që shikon me sytë e vet, dëgjon me sytë e vet, mendon me kokën e vet dhe që nuk e ka kokën të zhytur në kënetë, që qëllimi i kënetës nuk ka lidhje fare me qëllimin e madh të përbashkët të këtij populli.

Kjo është një zgjedhje midis interesit të mbarë një populli, profeti kombëtar i të cilit, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu e ka përcaktuar që atëhere se cili është drejtimi ynë dhe ai drejtim është kthyer në një amanet nga rilindasit që na lanë vargun e famshëm “dielli për ne lind andej nga perëndon”, tek të gjithë të tjerët që luftuan për një Shqipëri të pavarur nga lindja dhe të lidhur me perëndimin dhe sot ky është interesi i një populli të tërë, sepse fati ka dashur që të na vijë ne në dorë kjo mundësi dhe zgjedhja mes këtij interesi dhe hallit të një njeriu të vetëm.

Zgjedhja është midis së mirës së madhe të përbashkët të gjithë këtij vendi, të gjithë këtij kombi, të interesit të një familje të vetme.

Zgjedhja është midis Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, zonjë në Europë dhe kënetës dhe bufit të saj për ta kthyer Shqipërinë prapa, atje ku ajo gjithmonë përfundon, kur është në ato duar, drejtë e në gropë. Si mund të diskutohet kjo zgjedhje?

Si mund ta diskutojnë prindërit demokratë se çfarë do të votojnë në 11 maj? Kur në 11 maj me votën e tyre, ata nuk investojnë për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, ata investojnë që fëmijët e tyre të kenë pasaportën europiane të Shqipërisë. 

Dhe me atë pasaportë të shkojnë të studiojnë ku të duan në Europë, jo si studentë të huaj, jo me tarifa që i paguajnë prindërit “sa frëngu pulën”, por si studentë europianë, që pavarësisht se lëvizin këtu nga Maliqi për të shkuar në Paris apo në Lisbonë janë në shpinë e tyre.

Si mund ta diskutojnë, ç'a diskutimi mund të bëjnë te zgjedhja e tyre fermerët dhe bujqit e gjithë kësaj zone demokrate, kur me votën e tyre ata nuk do të investojnë për Edi Ramën dhe për Partinë Socialiste, as për Nikon dhe Pendavinë.  Me votën e tyre, ata do bëjnë një sjellje shumë të qartë me Shqipërinë në BE që do të thotë 300 milionë euro në vit vetëm për bujqësinë, apo me bufin në kënetë, që do të thotë asgjë më shumë, asgjë më pak, po mbrapsht tek ajo grope, nga e cila dy herë bufi e zhyti Shqipërinë, dy herë Partia Socialiste e nxori Shqipërinë. 

Çfarë diskutimi duhet të bëjnë 11 maj votuesit e parë, vajzat dhe djemtë e familjeve demokrate? Çfarë diskutimi duhet të bëjnë? Që a të votojmë bashkë me bashkëmoshatarët tanë për Shqipërinë, BE apo të ndahemi mes nesh disa me BE-në, disa në kënetë. Si mund të shkohet në kënetë? Ça ka atje? 

Se më tregonin një video qëparë një deputet këtu i kënetës, një Fidel, Fidel. “Hajde, mëndje, hajde”, “hajde muhabete, hajde”, “hajde çyryk, hajde”. Po kur thonë Edi Rama, ofendon burrat, se i quan çyryk, jo prit se e them unë, po prit. Unë them kështu, Partia Socialiste nuk mundet dot është e kotë. Pse? Sepse Partinë Socialiste mbështesin 56% e grave dhe vajzave të Shqipërisë. 

Ndërkohë që te burrat jemi më ngushtë në diferencë me kënetën. Pse? Sepse gjysma e burrave nuk janë mirë, nuk janë mirë. Ata mund të jenë në rregull në punën e përditshme, dalin, shkojnë, etj. Nuk e dija, për shembull, ai atje i farmacisë më duket si demokrat. Ai shet ilaçet, ai pret njerëz, është në rregull ai. Po hyre te politika, ai është çyryk, nuk sheh, nuk kupton, bëj ça të duash ti. Bëj bulevardin, bëj pallatin e kulturës, jepi dritë qytetit, rrit çfarë të duash ti, do kënetën ai është çyryk. 

Dhe më pëlqen shumë, sepse ngrihen tani ata deputetët dhe bëjnë statuse. Ne nuk jemi çyryk. Si mund të thotë njeriu, “unë s'jam çyryk”? Ai që thotë unë s'jam çyryk, ai vetëm çyryk është.

Kështu që burrat, gjysmën e trurit e kanë me ujë, e ujë kënete. Por ama, ne e kemi shumë të thjeshtë llogarinë, shumicën e grave, shumicën e të rinjve, gjysmën e burrave, na mjafton ajo, dhe ne jemi yy, ku e ku. 

Ama, se do t'ia them sot, se të gjitha gratë e vajzat që janë këtu, i ftoj të vijnë sot në pallatin e sportit. Do t'ua them dhe sot në sy gratë, kanë mision të madh gratë dhe nëse Shqipëria sot është afër Bashkimit Europian, siç nuk ka qenë kurrë, arsyeja kryesore është që kjo forcë politike mbështetjen kryesore ka dhe gratë. 

Edhe juve burrat, nëse jeni të mençur e të mençur jeni përderisa jeni këtu me ne, juve e dini më mirë se unë këtë punë. Unë e di që e di, po e dini edhe ju. Se imagjinoni ju se ç'do ndodhte në Maliq, sikur tëra gratë dhe vajzat të iknin një muaj, e t'ju lini ju këtu me Gëzimin. E di ç'do bëhej këtu apo jo? Ju të tërë do vinit vërdallë, vetëm bishti do të mungonte. Të parruar, të palarë, të pangrënë, komplet të mbaruar. 

Po shyqyr që keni zonjat, keni vajzat që mbajnë shtëpinë pastër dhe ju mbajnë dhe ju e ju pastaj bëni punën tuaj, atë nuk ua mohon dot njeri. Po unë po e zgjas pak se më pëlqen shumë kur më ‘’hidhen ‘’ ata pastaj dhe thonë ‘’ ne s’jemi çyrykë’’. Po kur thonë ‘’gratë tona burrnesha’’, po atë them dhe unë, fiks.

Shyqyr që janë gratë burrnesha se të ishte për burrat, Shqipëria nuk i afrohej kurrë BE-së, kurrë dhe prandaj kemi sot si parti krenarinë që të themi që në listën e mbyllur , 52% ne i kemi gra.

Se burrat bëjnë si të fortë kur dalin nga shtëpia, kur vijnë atje rrinë kokëulur. Pse u vonove? Koka ulur. Kur dalin nga shtëpia bëjnë si të fortë,po ne burrat do t’i marrim pajtetër. Patjetër, përmes jush. Ju jeni të mrekullueshme, jo të mira, por ama, ju këtu në Maliq keni dhe fatin siç e kanë shumë të tjerë që keni një kryetar bashkie që e kupton,që e vlerëson, e mbështet gruan dhe vajzën e kësaj zone.

Prandaj vërtetë Maliqi nuk është grua, Korça është grua, Maliqi nuk është grua, Maliqi është burrë po pikërisht se Maliqi është burrë, varet akoma më shumë nga gratë.

Shumë faleminderit dhe në 11 maj, gra e burra, vajza e djem, në BE jo në kënetë, të tërë së bashku përtej dallimeve partiake, përtej të majtës e së djathtës, nuk ka të majtë e të djathtë. Të majtë e të djathtë ka vetëm këtu, trotuari i majtë e trotuari i djathtë. Rruga jonë është vetëm e drejtë, vetëm përpara në Bashkimin Europian që të mbyllim një herë e mirë një histori ku na ka parë dhe kemi mbetur si popull i dorës së dytë.

Të bëhemi më në fund të barabartë me tërë të tjerët, asnjë të mos na shikojnë më nga lart-poshtë", tha Rama.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat