Shqipëria Postuar më 19 Prill 2025, 11:50

Bankat shqiptare pranohen në skemën e SEPA - BSH: Përmbushin të gjitha kriteret e nevojshme, nga 7 tetori ulen kostot e pagesave

Nga Ola Mitre

Bankat shqiptare pranohen në skemën e SEPA - BSH: Përmbushin

Bankat shqiptare janë pranuar në skemën SEPA, duke i hapur rrugë kryerjes së pagesave në zonën unike euro, në tetor të këtij viti. Gjithçka është bërë me dije nga Banka e Shqipërisë, sipas së cilës në datën 16 Prill 2025, të 11 bankat shqiptare morën përgjigje pozitive nga Këshilli Evropian i Pagesave për përfshirjen në skemën SEPA Credit Transfer, duke u vlerësuar se përmbushin të gjitha kriteret e nevojshme për përfshirjen në këtë skemë.

Sipas bankës qendrore, bankat shqiptare bëhen të parat në Ballkanin Perëndimor që aplikojnë dhe pranohen në këtë skemë të rëndësishme evropiane.

“Nga data 7 tetor 2025, këto banka do të mund të dërgojnë dhe pranojnë transferta krediti SEPA në euro për klientët e tyre, një hap i madh drejt rritjes së efikasitetit dhe integrimit evropian”, - theksoi BSH në postimin e saj.

Shqipëria u anëtarësua në SEPA vitin që shkoi, ndërkohë që më herët përfaqësues të Bankës së Shqipërisë e kishin konsideruar anëtarësimin e bankave të nivelit të dytë në këtë skemë, si një nga sfidat e radhës, me qëllim që të gjitha përfitimet të bëhen pjesë e përditshmërisë të qytetarëve, bizneseve dhe gjithë aktorëve të tregut.

Hyrja në SEPA parashikohet të ulë ndjeshëm kostot e pagesave brenda rajonit dhe me BE-në. Ndërkohë që, sa i takon sektorit bankar ky dimension i ri në shërbimet që do ofrojnë i vendos në pozicion më të favorshëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit ku janë prezentë, por që nuk janë ende në SEPA.

Ndërkaq, sipas Bankës së Shqipërisë, po vijon puna për fazën e dytë, që është përfshirja e Institucioneve Financiare JoBanka në skemën SEPA.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat