Shqipëria Postuar më 23 Prill 2026, 17:35

Procesi i rivlerësimit të pronave, Malaj: Nuk ka asnjë bllokim, po vijohet me ritme të larta

Nga SCAN TV

Procesi i rivlerësimit të pronave, Malaj: Nuk ka asnjë bllokim,

Ministri i Financave, Petrit Malaj gjatë një interpelance në Kuvend i ka dhënë përgjigje pyetjeve sa i përket procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. 

"Nuk ka asnjë bllokim të procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, po vijohet me ritme të larta në Tiranë dhe rrethe
Nga të dhënat më të fundit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, konfirmojmë se procesi deri tani ka regjistruar rreth 9.500 aplikime nga të cilat 35% i referohen rivlerësimeve në Tiranë dhe mbi 60% i referohet rivlerësimeve të pasurive në qytete të tjera të Shqipërisë. Procesi, ashtu siç e përcakton dhe ligji do të jetë i hapur deri në datën 31 dhjetor 2026, një kohë më se e mjaftueshme për të gjithë qytetarët shqiptarë të cilët dëshirojnë të bëjnë rivlerësimin e pronës së tyre.
Sa i takon çmimeve të reja të referencës që i referoheni, dua që të theksoj që vendimmarrja në lidhje me këto çmime është shumë e rëndësishme dhe grupi ndërinstitucional i ngritur për këtë qëllim po merr të gjithë kohën e nevojshme për të nxjerrë çmimet sa më reale që i përafrohen dhe çmimeve reale në treg. Sepse ajo që është konstatuar është që çmimet e pasurive të cilat regjistrohen në ASHK janë më të ulëta sesa çmimet e marketuara nga zyrat imobilare. Qëllimi i grupit ndërinstitucional është që çmimet e reja referuese të reflektojnë dinamikën e tregut, të reflektojnë zhvillimin e zonave bregdetare, të reflektojnë natyrisht duke marrë në konsideratë edhe transaksionet reale. Pra është shumë e rëndësishme që debatin publik e nderuar deputete ta mbështesim mbi fakte dhe jo mbi perceptime të pasakta që krijojnë pastaj edhe paqartësi tek qytetarët shqiptarë.
Pyetjes së dytë të drejtuar ku kërkoni të dini se sa është vlera e të ardhurave të munguara në buxhetin e shtetit si rezultat i taksës së ndikimit në infrastrukturë? Më duhet të them së pari që taksa e ndikimit në infrastrukturë është një taksë vendore. Është një taksë që ju besoj duhet ta dini se keni qenë edhe anëtare e Komisionit të Ekonomisë, por keni qenë dhe nënkryetare e bashkisë. Duhet ta dini që është një taksë që shkon në pushtetin, në buxhetin e bashkive. Pra, nuk është një taksë që ndikon buxhetin e shtetit.
Së dyti, taksa e ndikimit në infrastrukturë është një taksë ku që ndërtuesit e paguajnë bazuar në preventivin e investimit që do bëjnë, jo bazuar në çmimin e referencës. Pra, e thënë ndryshe, ne nuk po avantazhojmë askënd. Ajo që po ndodh është që ne po zbatojmë kuadrin ligjor i cili është në fuqi dhe që do ndryshojë sapo grupi ndërinstitucional të përfundojë punën e tij.
Për sa i përket pyetjes nëse ka bërë Ministria e Financave një analizë se sa të ardhura tatimore humb buxheti i shtetit për shkak të deklarimit të shitjeve mbi referencat shumë më të ulëta sesa çmimi real i tregut, duhet të them që buxheti i shtetit, planifikimi buxhetor, dhe këtë ju po prapë duhet ta dini, e bën mbi bazën e kuadrit ligjor që ka në fuqi, jo mbi çfarë do ndodhë në të ardhmen. Prandaj është e rëndësishme që për sa i përket vlerësimit apo të ardhurave potenciale të humbura, në kushtet kur nuk i kemi ende çmimet e reja, nuk mundet të bëjmë asnjë lloj analize, sepse çfarë do lloj analize që do bëjmë do jetë analizë hipotetike.
Në lidhje me pyetjen, nëse kemi një plan apo një afat të parashikuar nga Ministria e Financave për miratimin e metodologjisë së re të çmimeve dhe çmimeve të reja të referencës. Në lidhje me këtë çështje ka një urdhër të ngritur nga kryeministri ku përfshihen nëntë institucione. Përveç Ministrisë së Financave në këtë grup ndërinstitucional kemi Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, dhe Ministrinë e Ekonomisë si pjesë të grupit të punës. Pra, kemi një grup pune i cili përfshin të gjitha strukturat shtetërore për t'u shqyrtuar dhe për të përcaktuar si metodologjinë ashtu dhe çmimet e reja të referencës në mënyrë që të reflektojmë sa më të drejtë që çmimet e reja të referencës të jenë sa më afër çmimeve reale të tregut.
Sa i takon pyetjes se si ministria garanton që baza e taksueshme për pasuritë e paluajtshme reflekton realisht vlerat e tregut në mënyrë që të sigurohemi që të kemi një sistem të drejtë dhe sa më efikas të taksimit të pronës, duhet të them që pjesë e grupit ndërinstitucional janë edhe aktorë të rëndësishëm të tregut siç është hoqata e vlerësuesve; shoqata NAREA dhe Shoqata ndërtuesve. I kemi përfshirë këta në grupin e punës për shkak se duam që të hartojmë një proces dhe një metodologji që merr në konsideratë të gjithë faktorët relevantë të tregut, përfshirë këtu zhvillimet më të fundit të tij, karakteristika të veçanta që mund të kenë zonat specifike apo dhe transaksionet reale që ndodhin realisht në shitblerjen e pasurive të paluajtshme.
Në këtë mënyrë ne sigurohemi që të kemi çmime referuese të cilat janë sa më reale për tregun duke krijuar kështu një bazë taksimi të drejtë, një bazë taksimi më transparente dhe më efikase, si dhe nga ana tjetër bëjmë edhe një reduktim dhe ngushtojmë hapësirat e nëndeklarimit apo edhe të evazionit fiskal.
Pyetjes tuaj të fundit se cili është vlerësimi i Ministrisë së Financave mbi ndikimin që skema e rivlerësimit të pasurive do të ketë në formalizimin e tregut të pasurive të paluajtshme dhe në rritjen e të ardhurave buxhetore?
Skema e rivlerësimit pritet të ketë një ndikim pozitiv të dyfishtë:
si në formalizimin e tregut të pasurive të paluajtshme, ashtu edhe
në rritjen e të ardhurave buxhetore.
Së pari, në drejtim të formalizimit të tregut, skema krijon një mekanizëm nxitës për deklarimin më të saktë të vlerës reale të pasurive. Përmes aplikimit të një norme tatimore të reduktuar (5%) mbi diferencën e rivlerësimit, subjekteve dhe individëve u jepet mundësia të përditësojnë vlerën e pasurive të tyre në nivele më pranë çmimeve reale të tregut, pa u përballur me barrën e plotë tatimore(15%) që do të aplikohej në kushte normale. Kjo qasje redukton praktikat e nëndeklarimit dhe të përmirësojë cilësinë e të dhënave mbi tregun e pasurive të paluajtshme.
Së dyti, për sa i përket të ardhurave buxhetore, pritet që skema të gjenerojë të ardhura të menjëhershme nga pagesa e tatimit mbi rivlerësimin, duke kontribuar në rritjen e të ardhurave në periudhë afatshkurtër. Njëkohësisht, përmes rritjes së bazës së deklaruar të pasurive, krijohen premisa për të ardhura më të larta dhe më të qëndrueshme në afatmesëm dhe afatgjatë, si rezultat i një baze tatimore më realiste dhe më të gjerë.

Live TV

Të fundit
Analiza 23 Prill Karl Bildt

Emergjenca ekonomike e Evropës

Duke gjykuar nga ajo që shihet nga të gjitha takimet e ndryshme të Bashkimit Evropian—në Këshillin Evropian, zyrat e Komisionit Evropian dhe......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Analiza 23 Prill Karl Bildt

Emergjenca ekonomike e Evropës

Duke gjykuar nga ajo që shihet nga të gjitha takimet e ndryshme të Bashkimit Evropian—në Këshillin Evropian, zyrat e Komisionit Evropian dhe......