Shqipëria Postuar më 8 Qershor 2026, 16:04

Mblidhet Task Forca për sezonin turistik 2026 - Gonxhja: Koordinim 24/7 dhe tolerancë zero ndaj rregullatoret

Nga Diamila Leka

Mblidhet Task Forca për sezonin turistik 2026 - Gonxhja: Koordinim 24/7

Me një fluks gjithnjë e në rritje të turistëve, sezoni i këtij viti kërkon një eficiencë më të lartë të të gjitha trupave në terren. Task Forca Ndërinstitucionale ka hapur zyrtarisht planin e veprimit për të adresuar në kohë problematikat që shfaqen kryesisht në zonat bregdetare dhe ato me rritje të lartë rezidenciale. Sipas ministrit Blendi Gonxhja, ky mekanizëm do të rrisë shpejtësinë e reagimit dhe kontrollit logjistik e njerëzor.

"U mblodhëm sot në zbatim të urdhrit të Kryeministrit për Task Forcën Ndërinstitucionale për sezonin veror, për të trajtuar në një mënyrë shumë më të koordinuar të gjitha problematikat, planet e punës, të gjitha masat që duhet të marrim, në mënyrë që të kemi një mbarëvajtje sa më të mirë të sezonit, por të kemi edhe një eficiencë më të lartë të të gjitha trupave, të të gjitha institucioneve në terren, të të gjitha kapaciteteve tona logjistike por edhe njerëzore, në mënyrë që ne të jemi sa më pranë komunitetit", tha ministri Gonxhja.

Sfidat kryesore për këtë vit mbeten siguria e mjeteve lundruese në det, kontrolli i rreptë i ndotjes akustike, pastrimi i mbetjeve si dhe menaxhim i lëvizshmërisë në pikat kufitare dhe destinacionet kryesore.

Ministria bën të ditur se monitorimi do të bëhet në kohë reale, duke kërkuar gatishmëri të plotë nga të gjitha bashkitë dhe institucionet e linjës për të garantuar shërbimet bazë pa ndërprerje.

"Qëllimi kryesor i Task Forcës është që të kemi një mekanizëm monitorimi po të kemi dhe një mekanizëm raportimi ku të kemi dhe një lloj kontrolli të të gjitha masave... në mënyrë që të ndiqen hap pas hapi të gjitha emergjencat, problematikat, të mund të kemi një zgjidhje më të shpejtë, të kemi një reagim më të fortë, natyrisht në shumicën e atyre rasteve apo fenomeneve të cilat na shqetësojnë vit pas viti të kemi tolerancë zero. Të jenë 24 orë në 7 ditë, në sinkron, të gjithë së bashku si një trup i vetëm", tha ministri.

Ndërsa siguria ushqimore dhe urgjencat shëndetësore do të mbulohen nga pikat sezonale të dedikuara, synimi i këtij koordinimi mbetet i qartë: konsolidimi i Shqipërisë si një destinacion turistik i sigurt dhe me standarde të larta evropiane për vitin 2026.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat