Analiza Postuar më 23 Prill 2026, 11:12

Pensionet në Shqipëri, sa përfitojnë gratë? Rreth 14% më pak se burrat në momentin e daljes në pension

Nga Scan TV

Pensionet në Shqipëri, sa përfitojnë gratë? Rreth 14%

Gratë në Shqipëri vazhdojnë të dalin me pension më të ulët se burrat. Nga përllogaritja mbi të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, hendeku rezulton rreth 14.3%, çka do të thotë se gratë përfitojnë mesatarisht më pak se burrat në momentin e hyrjes në pension pleqërie. Sipas shifrave të ISSH, masa mesatare mujore e pensioneve të reja të pleqërisë është 18,021 lekë për burrat dhe 15,438 lekë për gratë.

Ky rezultat shkon në të njëjtin drejtim me panoramën europiane. Sipas tabelës së Eurostat për vendet europiane, hendeku mesatar në Bashkimin Europian është 24.5%. Kjo do të thotë se, në nivel europian, gratë marrin gati një të katërtën më pak pension se burrat. Në disa vende diferenca është edhe më e thellë, si në Maltë, Holandë, Austri apo Luksemburg, ndërsa në vende të tjera është më e ulët, si në Estoni, Sllovaki, Çeki apo Slloveni.

Nëse shifra e nxjerrë për Shqipërinë vendoset në të njëjtën tabelë krahasuese, vendi do të rezultonte nën mesataren e BE-së dhe pranë grupit të vendeve me hendek relativisht më të ulët. Me një diferencë prej rreth 14.3%, Shqipëria do të ishte afër vendeve si Polonia (14.5%), Letonia (15.0%) dhe Danimarka (15.6%), ndërsa do të qëndronte më mirë se një pjesë e madhe e vendeve të Europës Perëndimore dhe Jugore.

Megjithatë, duhet të bëjmë një sqarim të rëndësishëm metodologjik. Shifra për Shqipërinë nuk del drejtpërdrejt nga Eurostat, por është përllogaritur nga raporti i ISSH mbi pensionet e reja të pleqërisë. Kjo do të thotë se ajo nuk është plotësisht e njëjtë me treguesin standard të Eurostat, i cili i referohet popullsisë 65 vjeç e lart, pasi për Shqipërinë ka të dhëna deri në vitin 2023, kur hëndeku vlerësohej në 15.6%.

Në terma socialë, kjo do të thotë se gratë e moshuara hyjnë në një fazë më të brishtë ekonomike. Kur pensioni është më i ulët, edhe përballimi i shpenzimeve bazë, ilaçeve, kujdesit shëndetësor dhe kostove të jetesës bëhet më i vështirë. Për këtë arsye, hendeku i pensioneve nuk është thjesht një statistikë gjinore, por një tregues i drejtpërdrejtë i pabarazisë ekonomike në moshën e tretë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat