Shqipëria Postuar më 23 Prill 2026, 13:06

Startup-et shqiptare “ngecin” te komercializimi i ideve - Trajnimet dhe regjistrimi i markës bëhen të detyrueshme për përfituesit e financimeve

Nga Ledina Elezi

Startup-et shqiptare “ngecin” te komercializimi i ideve - Trajnimet

Pjesa më e madhe e startup-eve gjatë 2024 dhe 2025, edhe kur kanë pasur pronësi intelektuale, nuk kanë ditur ta komercializojnë.

Kështu është shprehur Drejtori i Agjencisë Innovation4Albania, Arjan Ymeri, në një aktivitet të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, me rastin e Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, i cili theksoi se edhe kur e ke pronësinë intelektuale, duhet të dish ta mbrosh atë duke ju përmbajtur disa rregullave. Në vijim, do të jetë e detyueshme që startup-et të marrin pjesë në trajnimet e Agjencisë lidhur me këtë çështje dhe të regjistrojnë markën e tyre. 

“Në vitin 2026, ne kishim 1220 aplikime nga 500 që ishin vitin e kaluar, pra një numër shumë i madh dhe nga ky vit, të gjithë ata që do të financohen, qofshin lehtësues ose kompani apo universitete të cilat janë në ndihmë të startup-eve, qofshin ato startup-e që do të financohen nga Agjencia, do ta kenë të detyrueshme, jo vetëm trajnimin, por edhe regjistrimin e brand-it dhe markës sipas standardeve nëpërmjet DPPI”, tha Drejtori i Agjencisë Innovation4Albania.

Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) ka nënshkruar marrëveshje me Organizatën Evropiane të Patentave apo zyrën homologe në Greqi për të ndihmuar SME-të, universitetet dhe startup-et, në raportet e kërkimit të patentave.

“Në fushën e patentave, DPPI krahas marrëveshjes që ka prej vitesh me Organizatën Evropiane të Patentave për sa i takon hartimit të raportit të hetimit që ofrohet nga kjo Organizatë dhe vlen të ritheksohet përsëri edhe në këtë takim sot, se për SME-të, universitetet dhe startup-et, Organizata Evropiane e Patentave ofron një ulje 80% të vlerës së paguar për raportin e hetimit. Një muaj më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale ka nënshkruar një marrëveshje të po të kësaj natyre me zyrën homologe greke. Në fund është përzgjedhja e aplikantit se ku kërkon të marrë shërbimin për hartimin e raportit të kërkimit për patenta”, u shpreh Drejtorja e Përgjithshme e Komanduar e DPPI.

Gjatë 2025, në Organizatën Evropiane të Patentave ka pasur 8 aplikime për patentë nga Shqipëria dhe janë fituar 3 grante.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat