FunData Postuar më 23 Prill 2026, 12:21

Sa para paguajmë për mjedisin? Shifra që tregojnë se pjesa më e madhe lidhet me energjinë

Nga Scan TV

Sa para paguajmë për mjedisin? Shifra që tregojnë se pjesa

A e dini se një pjesë e konsiderueshme e parave që mblidhen nga taksat në vend lidhet drejtpërdrejt me mjedisin? Të dhënat tregojnë se të ardhurat nga taksat mjedisore arrijnë në rreth 66.2 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me periudhën pararendëse.

Nëse kjo shumë ndahet sipas popullsisë, rezulton se për çdo qytetar pesha arrin mesatarisht në rreth 28 mijë lekë në vit, ndërsa për një familje shifra përkthehet në rreth 87 mijë lekë në vit.

Por ajo që bie më shumë në sy është se pjesa dërrmuese e këtyre të ardhurave vjen nga energjia. Rreth 82% e totalit sigurohet nga taksat mbi produktet energjetike, si karburantet dhe përdorimi i energjisë. Kjo tregon se çdo litër karburant apo përdorim energjie ka ndikim të drejtpërdrejtë në arkën e shtetit.

Në vend të dytë renditen taksat e transportit, që përbëjnë rreth 13% të totalit, ndërsa taksat e ndotjes zënë një peshë më të vogël, rreth 4.7%. Ndërkohë, taksat mbi burimet natyrore, si uji apo pyjet, kanë një ndikim shumë minimal në totalin e të ardhurave.

Gjatë vitit 2024, të ardhurat nga taksat e energjisë kanë shënuar rritje prej 8.95 %, të ardhurat nga taksat e transportit u rriten me 10.53 %. Gjatë të njëjtës periudhë, të ardhurat nga taksat e ndotjes kanë shënuar një rritje me 16.30 %, ndërsa të ardhurat nga taksat e burimeve natyrore kanë pësuar rënie prej 18.77 %

Një tjetër fakt interesant është se këto taksa përbëjnë rreth 2.63% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke treguar se mjedisi ka një rol të matshëm edhe në ekonominë kombëtare. Po ashtu, ato zënë mbi 10% të totalit të të ardhurave tatimore dhe kontributeve shoqërore.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat