Analiza Postuar më 3 Shkurt 2026, 11:26

Pasuritë e Paluajtshme/ Shqipëria fiton terren në renditjen ndërkombëtare- Përmirëson pozicionin në Indeksin e të Drejtave të Pronës

Nga Eldiona Serani

Pasuritë e Paluajtshme/ Shqipëria fiton terren në renditjen

Shqipëria renditet e 71-ta nga 126 vende në botë për vitin 2025 në Indeksin Ndërkombëtar të të Drejtave të Pronës (IPRI), duke shënuar një përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme. Ky pozicionim reflekton ndryshime graduale në mjedisin ligjor dhe në mekanizmat e mbrojtjes së pronës, të cilët matin aspekte si siguria juridike, zbatimi i ligjit dhe garantimi i të drejtave pronësore.

Ky përmirësim në këtë aspekt konsiderohet i rëndësishëm, pasi kontribuon si në lehtësimin e proceseve për qytetarët, ashtu edhe në përmirësimin e klimës së biznesit. Në të njëjtën periudhë kur Shqipëria ka shënuar rritje në indeksin e të drejtave të pronës, është vërejtur gjithashtu një rritje e investimeve të huaja dhe e aktivitetit në tregun e pasurive të paluajtshme.

Në nivel rajonal, Shqipëria pozicionohet e 19-ta në Europën Qendrore dhe Azinë Qendrore, çka e vendos atë nën mesataren e disa vendeve të rajonit. Këto rezultate tregojnë se, pavarësisht përmirësimeve të shënuara, mbeten diferenca në raport me ekonomitë më të avancuara, duke e bërë të nevojshme vijimin e reformave për forcimin e institucioneve dhe rritjen e sigurisë së të drejtave të pronës.

Në veçanti, të dhënat për të drejtat e pronës fizike tregojnë një panoramë të diferencuar ndërmjet komponentëve përbërës të indeksit. Për vitin 2025, Shqipëria vlerësohet me 6.6pikë në perceptimin e mbrojtjes së pronës fizike, duke u renditur e 49-ta globalisht dhe e 12-ta në rajon, çka sugjeron një nivel relativisht më të lartë besimi në mbrojtjen e pronës krahasuar me indikatorët e tjerë.

Ndërkohë, procesi i regjistrimit të pronës vlerësohet me 3.8 pikë, me një renditje 81-ta në nivel global dhe 18-ta në rajon, ndërsa aksesi në financim, i lidhur ngushtë me përdorimin e pronës si kolateral, shënon 3.7 pikë, duke e pozicionuar Shqipërinë e 60-ta në botë dhe e 20-ta në rajon. Këta tregues tregojnë se, megjithëse perceptimi për mbrojtjen e pronës ka përmirësime më të dukshme, sfidat mbeten kryesisht në aspektet procedurale dhe financiare, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e tregut të pronës dhe aksesin në kredi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat