Shqipëria Postuar më 3 Shkurt 2026, 13:00

Rreth 830 milionë euro financime për Shqipërinë - BEI, më shumë investime në transport. Fokusi, në rehabilitimin e hekurudhave

Nga Dorian Koça

Rreth 830 milionë euro financime për Shqipërinë - BEI,

Rreth 830 milionë euro në total ka financuar për Shqipërinë Banka Evropiane e Investimeve (BEI) deri në fundin e vitit të kaluar. Referuar të dhënave zyrtare nga kjo bankë, pjesa më e madhe e financimeve, ose rreth 60% e totalit kanë shkuar për sektorin e transportit në Shqipëri. Ky sektor tashmë ka përthithur 474,5 milionë euro.

Ndërkohë, që dy financimet më të rëndësishme kanë qenë për rehabilitimin e hekurudhave. Kështu, në prill të vitit të kaluar u nënshkrua marrëvëshja për financimin e 90 milionë eurove për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII. Nga totali, 60,5 milionë euro janë grant, ndërsa 30 milionë kredi e butë.

Rreth dy vite më parë, në mars 2024, Banka Evropiane e Investimeve i dha Shqipërisë një kredi prej 100 milionë euro për rehabilitimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.

Energjia, është sektori i dytë më i financuar nga kjo bankë me një fond total prej 188,9 milionë euro, ku spikat kredia për gazsjellësin trans-adriatik prej 105 milionë euro. Ujësjellës-kanalizimet kanë përfituar 110,1 milionë euro, linjat e kreditimit me 30 milionë, arsimi 12,5 milionë, zhvillimi urban 7,3 milionë dhe sektori i shërbimeve 4,5 milionë euro.  

Banka Evropiane e Investimeve, e cila është në pronësi të 27 qeverive të BE-së, si një nga investitorët dhe kreditorët më të mëdhenj globalisht, siguron fonde të konsiderueshme nga tregjet e kapitalit, të cilat më pas i jep hua me norma të favorshme për projektet që plotësojnë kriteret e saj. BEI ka nisur financimin e saj në Shqipëri nëpërmjet kredive që në vitin 1995. Vitin e kaluar kjo bankë ka hapur edhe zyrën e përfaqësisë së saj në Tiranë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat